
Pas një seance në SPAK, Monika Kryemadhi ka zgjedhur të flasë jo vetëm për ecurinë e çështjes ndaj saj, por edhe për projektet artistike në të cilat është përfshirë. E pyetur nga gazetarët, ajo tregoi se do të marrë pjesë në një film me titullin “Me Fat”, duke thënë me humor se “i ka ardhur radha” edhe në skenën e madhe.
“Nuk jam vetëm artiste, jam edhe organizatore. ‘Me Fat’ është film artistik, flet për një djalë të ri që ka një ëndërr. Ai ballafaqohet, merr një shtysë të vogël... dhe ia del,” tha Kryemadhi.
Ndërkohë, lidhur me dosjen ndaj saj, ish-kryetarja e LSI-së tha se po përgatitet për një proces gjyqësor të hapur, duke ironizuar akuzat e SPAK:
“Unë për heqjen e mitrës paskam bashkëpunuar me Ilir Metën sipas SPAK. Kjo është absurde,” u shpreh ajo.
Ajo theksoi se nuk ka arritur të takohet me bashkëshortin e saj, Ilir Meta, pasi sipas saj, “Drejtoria e Burgjeve nuk kishte marrë masa për ta sjellë në zyrat e SPAK”. Sipas Kryemadhit, kjo është hera e disatë që autoritetet nuk e njoftojnë për një takim mes tyre.
E pyetur për dokumentet dhe provat, ajo u shpreh:
“Më thanë që do të m’i japin shpejt. Prokuroria do të ketë evidencat e veta, ne do të kemi tonat. Mendoj që mund të ketë dy-tre gjëra që do të presin.”
Sa i përket padisë për CEZ-DIA, Kryemadhi shtoi: “Padia është e vitit 2017. Besoj duhet të ketë përfunduar.”
Në fund, me një shigjetim të hollë ndaj rivalëve, ajo u shpreh:
“Atyre të filmit u ka ardhur inat se më ka ardhur radha. Por unë nuk jam thjesht për t’u parë në ekran – unë bëj edhe regjinë.” Versus.al







