AKTUALITET /

SPAK finalizon hetimet: Meta dhe Kryemadhi përballë akuzave për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie! Ish Presidenti: Mezi po pres!

Brenda pak ditësh SPAK pritet të dërgojë dosjen në gjykatë ku në seancë paraprake GJKKO do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim, kthehet pas për plotësim apo pushohet.

Shkruar nga Versus

SPAK finalizon hetimet: Meta dhe Kryemadhi përballë akuzave për

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupionit ka përfunduar hetimet për dosjen Cez-Dia, lobimin e ish-LSI në SHBA dhe hetimin pasuror ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.

Ish-çifti Meta-Kryemadhi që u divorcuan pak kohë më parë janë hetuar për korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim e fshehje pasurie.

Ish-deputetes Kryemadhi do t'i komunikohen akuzat në mesditë nga SPAK ndërsa ish-presidentit Meta pritet ti komunikohen akuzat në orën 14. 

Akuzat do ti komunikohen edhe personave të tjerë të eskpozuar në këtë dosje, Ema Çoku e Pirro Xhixho.

Brenda pak ditësh SPAK pritet të dërgojë dosjen në gjykatë ku në seancë paraprake GJKKO do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim, kthehet pas për plotësim apo pushohet.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Meta dyshohet se në kohën kur ishte ministër i Energjetikës ka abuzuar me detyrën për të favorizuar kompaninë DIA, e cila fitoi 6.5 milionë euro nga një kontratë për mbledhjen e borxheve të CEZ, ndonëse nuk plotësonte kriteret ligjore.

Në këmbim, Meta dyshohet se ka kërkuar dhe përfituar shuma të konsiderueshme parash, ndërsa duhej të mbikëqyrte zbatimin e kontratës.

Një tjetër çështje që rëndon ndaj Ilir Metës dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, lidhet me ndërhyrjet e tyre në vitin 2014 në institucione shtetërore dhe kompani celulare, për të favorizuar hyrjen në treg të një kompanie të huaj që ofronte shërbime me fibra optike.

Sipas SPAK, çifti ka përfituar fitime financiare dhe karta krediti nga kompania, të cilat janë përdorur për shpenzime të padeklaruara.

Në këtë skemë është përfshirë edhe ish-kreu i AKEP-it, Pirro Xhixho, i cili ka ndihmuar në realizimin e kontratës në kundërshtim me ligjin.

Gjithashtu, SPAK nënvizon se gjatë viteve 2016-2017, Ilir Meta ka firmosur kontrata lobimi me dy kompani amerikane në emër të LSI-së, por një pjesë e pagesave nuk ka kaluar përmes llogarive zyrtare të partisë, dhe rreth 463 mijë dollarë nuk janë deklaruar në bilancet e paraqitura në KQZ.

Një tjetër episod që ngre dyshime për pastrim parash ka të bëjë me blerjen e një apartamenti me vlerë 310 mijë euro në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Apartamenti rezulton i justifikuar me një kredi të marrë nga nëna e Kryemadhit, por SPAK pretendon se shuma është paguar në cash, ndërsa kredia është përdorur si mbulesë për të fshehur origjinën e paligjshme të parave.

Së fundmi, SPAK akuzon çiftin Meta-Kryemadhi për mosdeklarim të shpenzimeve mjekësore, të kryera gjatë periudhës 2013-2019, që arrijnë një total prej 106 mijë eurosh, prej të cilave 86 mijë janë paguar në cash dhe nuk janë raportuar në deklaratat e pasurisë./Versus.al

Poll