AKTUALITET /

Nafta në Shqipëri kushton 10.5% më shumë se mesatarja europiane

Për Shqipërinë, indeksi për grupin “Karburante dhe lubrifikantë për mjetet private të transportit” ishte 110.5%, që do të thotë që për të blerë të njëjtën sasi karburanti, që një qytetari në BE do ti duheshin 100, një përdoruesi shqiptar të automjeteve do ti duheshin 110.5 euro.

Shkruar nga Versus

Nafta në Shqipëri kushton 10.5% më shumë se mesatarja

Konsumatorët shqiptarë e paguan karburantin 10.5% më shumë sesa mesatarja e Bashkimit Europian në vitin 2025. Të dhënat janë bërë publike nga Eurostat, i cili mat indeksin e nivelit të çmimeve sipas barazisë së fuqisë blerëse (Purchasing Power Parities – PPP).

Ky tregues krahason sa kushton e njëjta shportë mallrash dhe shërbimesh në vende të ndryshme, duke eliminuar efektin e kursit të këmbimit dhe diferencave në nivelin e të ardhurave.

Për Shqipërinë, indeksi për grupin “Karburante dhe lubrifikantë për mjetet private të transportit” ishte 110.5%, që do të thotë që për të blerë të njëjtën sasi karburanti, që një qytetari në BE do ti duheshin 100, një përdoruesi shqiptar të automjeteve do ti duheshin 110.5 euro.

Në terminologjinë e Eurostat, kjo kategori përfshin: benzinën, naftën, gazin për automjete (LPG/CNG), vajrat lubrifikues dhe produkte të ngjashme për mirëmbajtjen e automjeteve private.

Ndonëse Shqipëria është ndër vendet më të varfra të Europës, në të ardhurat për frymë (43% e mesatares se BE) dhe konsumin individual sipas fuqisë blerëse  (48% e BE) duke lënë pas vetëm Bosnjë Hercegovinën, ata që kanë makina detyrohen të blejnë karburantin me çmime më të shtrenjta se shumë shtete më të zhvilluara.

Shqipëria renditet e pesta, sipas Eurostat, për çmimet e shtrenjta të karburanteve sipas fuqisë blerëse, pas Islandës (128.4%), Danimarkës (114.7), Holandës (114) dhe Zvicrës (113.7).

Nafta është shumë më e shtrenjte dhe se në rajon. Pas nesh renditet Serbia (96.1), Mali i Zi (85.6). Bosnjë Hercegovina është nga fundi i listës (76.3), së bashku me Maqedoninë e Veriut (72), me këtë të fundit, ku furnizohen një pjesë e mirë e shqiptarëve, që është e dyta më e lirë për karburantet në Europë, pas Turqisë (67.5). Mungojnë të dhënat për Kosovën.

Në krahasimin relativ me BE-në, Shqipëria është shtrenjtuar vazhdimisht. Çmimet e kapën mesataren e BE-së që në 2022-2023, u ngjitën në 106.6 në 2024-n, për të thelluar më tej diferencën në 2025-n.

Në pjesën e parë të 2026-s, diferenca mes çmimeve, sidomos me rajonin u thellua dhe më shumë, teksa vendet e tjera morën masa duke ulur barrën fiskale mbi karburantet, ndërsa qeveria shqiptare zbatoi një ulje të akcizës vetëm 5 ditë.(Monitor)

Poll