
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta doli në një konferencë për mediat ku veçmas çështjeve shqetësuese për vendin foli edhe për idenë e prezantuar së fundmi nga kryeministri Edi Rama për krijimin e një mini shteti brenda Tiranës të quajtur ‘Urdhri Bektashi’.
Meta tha se ideja e Ramës është totalisht e pakonsultuar dhe se synimi i tij është ta keqpërdorë për interesa elektorale ku vendi ndodhet në prag të zgjedhjve parlamentare të 2025-ës.
“Kurrsesi nuk mund të keqpërdoret në funksion të agjendave elektorale të momentit apo okulte dhe kur nuk janë të konsultuara dhe mund të kthehen në ide të rrezikshme në rajonin tonë ku mund të cënohet stabiliteti dhe paqja e arritur me aq mund. Rama ka dëshmuar me prova në 11 vite në pushtet se jo vetëm nuk i respekton por është shkelësi më i madh i të drejtave dhe lirive fetare por edhe grabitësi më i madh i pronave të tyre.
Keqpërdorimi i fesë bektashiane për qëllime okulte është e papranueshme. Bektashinjtë nuk kanë luftuar kurrë për krijimin e një shteti me bazë fetare por për Shqipërinë. Lëvizja betkashiane “pa atdhe nuk ka fe” është një lëvizje që duhet ta ruajmë si sytë e ballit. PL me ardhjen në pushtet do kompensojë të gjithë pronat e komuniteteve fetare. Këto ide janë aventuar që tashmë shqiptarët i dinë mirë. Shqipëria ka kushtetutë dhe proces të pakthyeshëm të integrimit europian”- u shpreh Meta.
Ndërkohë dje kryeministri Edi Rama foli edhe në samitin e OKB mbi idenë e tij për krijimin e shtetit ‘Urdhri Bektashi’ duke e cilësuar këtë si një plan për të promovuar sa më shumë tolerancën ndërfetare në botë. Shteti nëse krijohet, do të jetë shteti më i vogël në botë me sipërfaqe totale 10 hektarë tokë mes zonës së Tiranës dhe Krujës dhe do të ketë administratën e vetë të ngjashme me atë të Vatikanit në Romë. Versus.al








