POLITIKË /

Vota e Diasporës ‘thellon’ fitoren për Partinë Socialiste, PD konteston dhe nuk njeh rezultatin përfundimtar

Vendimi për të nisur numërimin e votave nga Greqia u mor të premten nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, pas disa ditësh bllokim për shkak të mosmarrëveshjeve politike. PD kishte kundërshtuar hapjen e këtyre zarfeve, duke pretenduar se kishte shkelje dhe manipulim në këtë segment të votimit.

Shkruar nga Versus

Vota e Diasporës ‘thellon’ fitoren për Partinë

Procesi i numërimit të votave të Diasporës, veçanërisht atyre të ardhura nga Greqia, po zhvillohet me intensitet në Parkun Olimpik, ndërsa rezultati i deritanishëm tregon një thellim të avantazhit të Partisë Socialiste ndaj Partisë Demokratike. Deri tani, PS ka fituar mbi 47 mijë vota më shumë se PD nga votat e diasporës, një diferencë e ndjeshme që mund të ndikojë në mandatet e qarqeve ku gara është më e ngushtë.

Një prej këtyre qarqeve është Lezha, ku numërimi i votave të ardhura nga Greqia po ngushton ndjeshëm diferencën mes dy partive kryesore. Aktualisht, PD ka 4 mandate, ndërsa PS ka siguruar 3, por të dhënat e fundit mund të ndryshojnë balancën. Në vend të tretë ndodhet Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”, ndërsa partitë e tjera kanë marrë përqindje të ulëta dhe nuk janë në garë për mandate.

Deri në këtë fazë, janë numëruar 162,788 zarfe nga gjithsej 195,007 që kanë mbërritur nga emigrantët shqiptarë, me pjesën më të madhe që përfaqësohet nga Greqia dhe Italia.

Vendimi për të nisur numërimin e votave nga Greqia u mor të premten nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, pas disa ditësh bllokim për shkak të mosmarrëveshjeve politike. PD kishte kundërshtuar hapjen e këtyre zarfeve, duke pretenduar se kishte shkelje dhe manipulim në këtë segment të votimit.

Edhe pse ka dërguar komisionerë të vet në qendrën e numërimit, PD ka dalë me një deklaratë ku thekson se do të kundërshtojë përfshirjen e votave nga Greqia në rezultatin përfundimtar. Partia Demokratike kërkon rinumërim të plotë dhe verifikim të çdo vote të ardhur nga jashtë, duke ngritur dyshime për vlefshmërinë e këtij procesi.

Situata mbetet e tensionuar, sidomos në qarqet ku diferenca në mandate është e vogël dhe votat e diasporës mund të jenë vendimtare për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. KQZ pritet të japë një qëndrim zyrtar për kontestimet dhe të sqarojë nëse këto vota do të kenë ndikim përfundimtar në shpërndarjen e mandateve. /Versus.al/

Tags:

diaspora vota

Poll