POLITIKË /

"Votojmë shkarkimin e Veliajt", këshilltarët bashkiakë të PD: Ka të drejtë të dëgjohet, mos t'i japim shans për ta rrëzuar vendimin

Teliti u shpreh se demokratët duan të shmangin çdo hapësirë ligjore me anë të të cilës Veliaj mund ta hedhë poshtë vendimin e sotëm me argumentin se nuk i është mundësuar prania fizike në sallën e këshillit bashkiak.

Shkruar nga Versus

"Votojmë shkarkimin e Veliajt", këshilltarët

Këshilltarët bashkiakë të Partisë Demokratike në bashkinë e Tiranës kanë bërë të qartë se do të votojnë pro propozimit për shkarkimin e Veliajt nga posti i kryebashkiakut.

Por kanë kërkuar që procedura të jetë e saktë dhe që Veliaj të dëgjohet në këshillin bashkiak në mënyrë që mos të ketë asnjë alibi për ta përdorur në të ardhmen duke e rrëzuar vendimin si antikushtetues. Këshilltari i PD, Dorian Teliti tha se qëllimi i tyre është që Veliajt t’i mbyllet njëherë e përgjithmonë mundësia e rikthimit duke e përballur në sallën e këshillit bashkiak.

“Edhe një i burgosur me dënim të përjetshëm meriton të dëgjohet. PS insiston që Veliaj të mos dëgjohet në këshill bashkiak. Do jetë nesër një instrument ligjor në dorën e Erion Veliajt për të fituar gjyqin kundër shkarkimit. Është edrejta ligjore e Veliajt që të dëgjohet, siç është e drejta jonë t’ja përplasim në fytyrë korrupsionin 10 vjeçar në bashkinë e Tiranës. Duhet që këshilli bashkiak t’i drejtohej mdrejtorisë së burgjeve për të sjellë Veliajn. Fjalët e bukura të tij i kemi parë, na ka mbytur me një retorikë të shpifur. Por duam ta zhveshim nga çdo instrument që ai mund të përdorë në të ardhmen për ta hedhur poshtë këtë vendim të këshillit bashkiak, thjesht sepse nuk e kemi dëgjuar këtu.

Duam që ky vendim që ne do ta miratojmë sot, patjetër që do e miratojmë shkarkimin, por duhet që procedura të jetë e saktë që në të ardhmen t’i mbyllim traun Veliajt për t’u kthyer në këtë godinë dhe të mos përballemi pas 2 apo 3 vitesh dhe me vendim të Strasburgut të paguajmë qindra mijëra euro nga taksat tona”- tha Teliti para mediave. Versus.al

 

Poll