POLITIKË /

Vula e PD, Rithemelimi kërkon që Alibeaj të mos jetë palë në proces! Gjyqtarët tërhiqen për vendim

Në seancën gjyqësore për vulën e PD, janë deputetë si Gazment Bardhi, Luan Baçi dhe Oerd Bylykbashi.

Shkruar nga B.V
Vula e PD, Rithemelimi kërkon që Alibeaj të mos jetë
Përfaqësues të Rithemelimit dhe PD zyrtare brenda sallës së gjyqit

Në gjykatën e Apelit të Tiranës ka nisur seanca gjyqësore që pritet të vendosë “fatin” e drejtimit të Partisë Demokratike.

Trupa gjykuese e Apelit për çështjen e vulës së PD, është tërhequr për të marrë vendim mbi kërkesën e bërë nga Rithemelimi për përjashtimin e Enkelejd Alibeajt dhe të mos pranohet kërkesa e tij e bërë në mars të 2022-it kundër vendimit të Agron Zhukrit që njohu Kuvendin e 11 dhjetorit 2021.

Përfaqësuesi i Rithemelimit, Ivi Kaso tha se Alibeaj nuk kishte të drejtë të jetë palë e çështjes pasi ka firmosur një vendim me autorizim të Bashës i cili sipas tij ishte shkarkuar fillimisht dhe më pas kishte dhënë dorëheqjen.

“Vlerësojmë që Gjykata e Lartë ka orientuar Apelin në argumentet e veta, me arsyen kryesore që Apeli s’ka kuptuar thelbin e çështjes, pra që kjo çështje bëhet pa praninë e palëve të tjera. Është shumë specifike sa i takon verifikimit të këtyre vendimmarrjeve, për aktet e një subjekti politik. Ligji thotë që duhet të jenë të kujdeshme, ka vetëm një palë dhe ankimimi bëhet po ashtu nga pala që ka vënë në lëvizje gjykatën. Alibeaj firmos një vendim me autorizim të kryetarit që jo vetëm ishte shkarkuar nga një kuvend, por dhe kishte dhënë dorëheqjen publikisht me datë 21 mars. Përfundimisht kërkojmë mos pranimin si palë”- u shpreh Kaso.

Ndërsa përfaqësuesi i PD-së së Bashës, Rezart Kthupi u shpreh se Basha juridikisht ka qenë në vijimësi të ushtrimit të postit si kryetar i PD-së.

“Nëse do lexoni vendimin e Gjykatës së Lartë ajo shprehet: Duke konstatuar se Apeli ka konstatuar se kemi vetëm një palë, referuar subjektit politik PD që është e regjistruar në regjistrin e partive politike, në rastin konkret jemi në kushtet kur kemi një vijimësi të ushtrimit të kryetarit të partisë, fillimisht nga Basha, pastaj nga Alibeaj. Ajo që ndodh është që nesë Basha pra nuk është shkarkuar, ai autorizon dikë, dorëheqja është akt politik dhe publik por kjo nuk e ndalon ta ushtrojë juridikisht atë në këtë rast"- u shpreh Kthupi.

Prej më shumë se dy vitesh, çështja se kujt i përket drejtimi i Partisë Demokratke është zvarritur nëpër gjykata. Të dyja palët, Rithemelimi nga njëra anë me shumicën e deputetëve dhe Basha nga ana tjetër, pretendojnë se janë legjitimë në drejtimin e PD-së. Versus.al

Poll