
Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë ka bërë të ditur angazhimin e saj për të mbështetur institucionet ligjzbatuese në Shqipëri në përpjekjet e tyre për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Në këtë kuadër, diplomacia britanike ka ofruar një asistencë të veçantë për Prokurorinë e Posaçme, e cila synon të përmirësojë komunikimin me median, qytetarët dhe palët e interesuara.
Kjo nismë është cilësuar si një haphistorik, duke shënuar një moment të rëndësishëm për Reformën në Drejtësi në Shqipëri. “Strategjia e Komunikimit” është mbështetur nga Shërbimi Ndërkombëtar i Komunikimit të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar (GCSI), i cili ka ofruar ekspertizën e nevojshme për të ndihmuar në promovimin e transparencës dhe përgjegjshmërisë në proceset ligjore në vend.
Ky angazhim i Britanisë së Madhe do të ndihmojë në ndërtimin e një marrëdhënie më të ngushtë mes institucioneve dhe publikut, duke forcuar besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe duke kontribuar në një ambient më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë.
“Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbështesë sundimin e ligjit në Shqipëri dhe, nëpërmjet Shërbimit Ndërkombëtar të Komunikimit të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar (GCSI), ne kemi mbështetur Prokurorinë Speciale (SPAK) për të komunikuar progresin e saj në reduktimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.
Kjo Strategji e Komunikimit është një moment historik i rëndësishëm që përshkruan se si SPAK do t'i komunikojë prioritetet e tij gjatë tre viteve të ardhshme medias, qytetarëve dhe palëve të interesuara”, thuhet në njoftim./Versus.al








