EKONOMI & MJEDIS /

Siguracioni i makinave / Pritet rritje e madhe e çmimeve dhe mbulimit. Ç'ndodh pas hyrjes së Shqipërisë në BE

Projektligj i ri i AMF-së sjell standarde europiane për TPL, rritje të limiteve të dëmshpërblimit dhe shtrirje të mbulimit në të gjithë BE-në

Shkruar nga Versus

Siguracioni i makinave / Pritet rritje e madhe e çmimeve dhe mbulimit.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka hartuar një projektligj të ri për sigurimin e detyrueshëm motorik, i cili synon përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian dhe do të hyjë në fuqi gradualisht pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE, bën të ditur Revista Monitor. 

Ndryshimi më i rëndësishëm lidhet me rritjen e ndjeshme të limiteve të përgjegjësisë, të cilat në të ardhmen do të arrijnë në 6.45 milionë euro për ngjarje dhe 1.3 milionë euro për person të dëmtuar, nga nivelet shumë më të ulëta aktuale në Shqipëri.

Një tjetër ndryshim thelbësor është zgjerimi i mbulimit të policës TPL, e cila nuk do të kufizohet më vetëm brenda territorit shqiptar, por do të vlejë në të gjitha vendet e Bashkimit Europian dhe në sistemin e Kartonit Jeshil.

Ky standard i ri pritet të sjellë rritje të ndjeshme të primeve të sigurimit të detyrueshëm, pasi kompanitë do të mbulojnë rreziqe më të mëdha dhe një territor shumë më të gjerë gjeografik.

Projektligji parashikon gjithashtu rritje graduale të limiteve edhe para anëtarësimit, me një nivel të ndërmjetëm prej 75 milionë lekësh për shumicën e mjeteve dhe 32 milionë lekësh për person të dëmtuar.

Në të njëjtën kohë, rregullat për përcaktimin e çmimit të sigurimit do të liberalizohen pas hyrjes në BE, duke i dhënë kompanive të drejtën të vendosin vetë primet mbi bazë aktuariale dhe faktorësh rreziku.

Projektligji sjell edhe përmirësime për konsumatorin, si certifikata e historikut të dëmeve, mekanizëm krahasimi të çmimeve, kontrata digjitale dhe afate më të qarta për dëmshpërblime.

Afatet e pagesës dhe procedurat e dëmshpërblimit mbeten kryesisht të pandryshuara, por për dëmet e vogla deri në 250 mijë lekë parashikohet pagesë më e shpejtë brenda 14 ditëve.

Sipas analizave të tregut, Shqipëria pritet të kalojë nga një sistem i kufizuar dhe i centralizuar, në një model më të lirë dhe konkurrues të ngjashëm me vendet e BE-së, ku çmimet variojnë ndjeshëm sipas rrezikut të drejtuesit.

Në përgjithësi, reforma konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt integrimit europian, por me ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kostos së sigurimit për drejtuesit e mjeteve.

Poll