Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë sot pretencën për ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja duke kërkuar dënimin e tij me 3 vite burg në bashkim të dënimeve. Në rast dënimi, ish-ligjvënësi do të përfitonte nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi i tij do zbriste në 2 vite.
Të njëjtën kërkesë e pati edhe për të shumëkërkuarin Altin Hajri i cili përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe në rast dënimi për dosjen e Çyrbjas, merr dënim përfundimtar me 2 vite burg. Për bashkëpunëtorin e Çyrbjas që shërbente si informator, Ahmet Mashën, dënimi përfundimtar zbret në 1 vit e 8 muaj burg, në rast se GJKKO pranon pretencën e SPAK.
Mësohet se prokurori i posaçëm Adnan Xholi ka lexuar në mënyrë të reduktuar pretencënpasi ka të dhëna sekrete që janë nën hetim dhe nuk mund të ndahen me median.
Avokati i Altin Hajrit pretendoi gjatë seancës se nuk ka fakte që të provojnë se klienti i tij të ishte përfshirë në sigurimin e votave për deputetin socialist në vitin 2021 siç pretendohet nga SPAK.
“Nuk rezulton që kjo mbështetje e pretenduar të jetë aplikuar pra që të ketë siguruar vota. Për dhënien e mbështetjes elektorale duhet që organi hetues të bazohej tek paligjshmëritë. Ska fakte nëse janë siguruar kto vota, nëse po a janë siguruar në mënyrë të paligjshme? Nga përmbajtja e bisedave nuk rezulton të ketë një premtim se do gjej kaq vota. Kanë qenë komunikime normale mes dy të njohurve që kanë mbështetur njëri tjetrin. Akuza duhet të kishte identifikuar ku qëndron nxjerrja e sekretit hetimor se Hajri s’ka akses as dijeni apo njohuri çdo të thotë sekret shtetëror. Kryerja e veprës penale lidhet me dijeninë e kësaj vepre, apo me shprehjen e interesit për ta patur këtë informacjon. Sështë gjetur kush e ka nxjerr këtë informacion dhe Hajri nuk e dinte që ishte informacion që s’duhej ekspozuar. Pra nuk ka dijeni, nuk ka edhe dashje. Vetëm nëse do e dinte, mund të merrte përsipër faktin penal. Nuk provohet korrupsioni, apo që mbështetja nëse është dhënë, është bërë në kuadër të një interesi. E ka pas mik e ka mbështetur në zgjedhje”- u shpreh ai.
Nga ana tjetër edhe Ilir Murati, avokati i Çyrbjes pretendoi se nuk ka asnjë provë për kryerjen e veprave penale për të cilat ai akuzohet. Sipas tij, nuk ka patur përcaktim të qartë se çfarë e përmbën një informacion ‘sekret shtetëror’.
“Nuk ka asnjë provë për kryerjen e veprave që akuzohet. Bazohet tek transkriptet, disa biseda e foto, por nuk lidhen me asnjë provë tjetër. Nuk ka përcaktim të saktë se cili informacion konkret përbën nxjerrje sekreti shtetëror. Duhet që spak të sqarojë cili fakt përbën nxjerrje të sekretit shtetëror. Duhet të kemi një akt klasifikimi të kualifikimit të sekretit shtetëror, dhe akuza nuk specifikon se i çfarë niveli është sekreti shtetëror i pretenduar që ka nxjerr i pandehuri”- tha Murati.
Kujtojmë se ish-deputeti socialist akuzohet për veprat penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit”, dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”. Versus.al

