
Në orën 17:00, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, do të dalë me një deklaratë për mediat lidhur me çështjen që ka në qendër ish-kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Deklarata pritet të sqarojë vendimin e Gjykatës për padinë e Veliajt, i cili ka kërkuar shpalljen e pavlefshme të vendimit të qeverisë që e shkarkoi nga detyra, duke argumentuar se ai është në kundërshtim me Kushtetutën.
Në të njëjtin proces, Gjykata po shqyrton edhe dekretin e Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë, për të vlerësuar nëse ky akt është në përputhje me Kushtetutën.
Deri në marrjen e një vendimi përfundimtar, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pezullojë efektet e dekretit presidencial, duke ndaluar mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në kryeqytet.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:
Ju njoftoj se sot, ora 17:00, Kryetarja e Gjykatës znj. Holta Zaçaj do të ketë një komunikim me gazetarët në lidhje me vendimmarrjen e çështjes me kërkues Erion Veliaj me objekt "Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”. Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 "Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore", për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si i papajtueshëm me paragrafin 2 dhe 3 të nenit 115 të Kushtetutës.
Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 "Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për Kryetar Bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore", për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës i njeh ankimit kushtetues të Kryetarit të Bashkisë, ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese”./Versus.al
