AKTUALITET /

Kërkoi rimbursim për frigoriferin e prishur, pronari i Zanusit me avokaten dhunojnë klienten

Dyshohet se klientja është mbajtur kundër vullnetit të saj për rreth dy orë brenda ambienteve të biznesit dhe është dhunuar fizikisht.

Shkruar nga Versus
Kërkoi rimbursim për frigoriferin e prishur, pronari i Zanusit me
Sefedin Ahmetaj

Një konflikt i nisur për rimbursimin e një frigoriferi banak ka përfunduar me arrestimin e dy personave në zonën e Ish-Doganës, në Tiranë.

Sipas Policisë, në pranga janë vënë Sefedin Ahmetaj, pronar i dyqanit të elektroshtëpiakeve “Zanusi”, dhe Edjola Harunaj, avokatja e tij.

Të dy dyshohen se janë përfshirë në një konflikt me një kliente, e cila ishte kthyer në dyqan për të kërkuar rimbursimin e plotë të shumës, me pretendimin se frigoriferi i blerë nuk funksiononte.

Sipas hetimeve paraprake, pronarët kanë refuzuar kërkesën e saj, ndërsa debati ka agravuar.

Dyshohet se klientja është mbajtur kundër vullnetit të saj për rreth dy orë brenda ambienteve të biznesit dhe është dhunuar fizikisht.

Pas njoftimit, në vendngjarje kanë ndërhyrë shërbimet e Policisë së Tiranës. Gjatë shoqërimit, situata është përshkallëzuar edhe me efektivët, ndërsa dy të dyshuarit akuzohen se kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë.

Sipas njoftimit zyrtar, Edjola Harunaj dyshohet se ka dëmtuar lehtë një efektiv policie gjatë kryerjes së detyrës.

/Versus.al   

Poll