Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim në themel dosjen e aferës “5D” që lidhet me abuzimin me tenderat e bashkisë. Ish-drejtorët Redi Molla dhe Mariglen Qato do të gjykohen në këtë proces nën akuzën e veprave penale të korrupsionit pasiv, modeklarimit të pasurisë dhe pastrimit të parave.
Ndërsa Taulant Tushe, Nestor Muhametllari, Albano Janku, Julian Zanaj dhe Enton Punavia do të gjykohen për shkelje të barazisë në tendera.
Të gjithë të pandehurit kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, kështu që në rast se gjenden fajtorë dhe dënohen, do të përfitojnë uljen e 1/3-ës së dënimit.
Nga hetimet është provuar fakti se i pandehuri Redi Molla në cilësinë e ish Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, si dhe i pandehuri Mariglen Qato në cilësinë e ish Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a dhe ish Kryeinspektorit të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tiranë kanë qënë pronarë “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.
Të pandehurit e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, si ortakë fiktivë në aktet e rregjistrimit dhe funksionimit të shoqërisë, me të cilët ortakët e vërtetë të shoqërisë kanë pasur lidhje shoqërore dhe miqësore, thuhet në njoftimin e SPAK.
Gjatë periudhës 2016-2020, kur Redi Molla ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, shoqëria tregtare “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 (shtatë) procedura prokurimi, të realizuara nga autoriteti kontraktor “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a.
Në këto procedura prokurimi i pandehuri Molla ka pasur cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, ka urdhëruar kryerjen e prokurimit, përbërjen e Njësisë së Prokurimit, përbërjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (duke caktuar në katër raste si anëtar të këtij komisioni të pandehurin Mariglen Qato, i cili është ortaku tjetër indirekt i shoqërisë), ka nënshkruar kontratat e sipërmarrjes, ka kryer çdo veprim tjetër që lidhet me cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, me shoqërinë tregtare në zotërim të tij.
Së dyti, është provuar fakti se në periudhën 2016-2018, gjatë kohës kur i pandehuri Mariglen Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, subjekti tregtar i mësipërm ka marrë pjesë dhe ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik në 4 (katër) nga procedurat e prokurimit të përmëndura më sipër. Në këto procedura prokurimi, i pandehuri Mariglen Qato ka pasur cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qënë pjesë në marrjen e vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për shoqërinë tregtare në zotërim të tij në mënyrë indirekte.
Së treti, nga veprimet hetimore të kryera është provuar fakti se shoqëria tregtare “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, në 3 (tre) procedura prokurimi të organizuara nga autoriteti kontraktor, Bashkia Tiranë, si dhe në 2 (dy) procedura të tjera prokurimi të organizuara nga autoritetet kontraktore “Tirana Parking” sh.a dhe “Klubi Sportiv Tirana” sh.a.
Taulant Tusha në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, si dhe të pandehurit Enton Punavija, Julian Zanaj dhe Albanon Janku në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në tre procedurat e prokurimit të organizuara nga Bashkia Tiranë, kanë favorizuar dhe i kanë krijuar shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k avantazhe dhe privilegje të padrejta në raport me operatorët e tjerë ekonomikë që kanë marrë pjesë në procedurat e prokurimit, duke e shpallur fituese të procedurës së prokurimit në mënyrë të parregullt dhe në shkelje të rregullave të prokurimit publik.
Së katërti, nga veprimet hetimore të kryera, nga analiza e hetimit financiar dhe akti i ekspertimit të kryer nga eksperti kontabël është provuar fakti se në 12 (dymbëdhjetë) procedurat e prokurimit që janë përfituar nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e prokurimit publik, kjo shoqëri tregtare ka realizuar përfitime monetare në total në shumën 192,779,188 lekë
Gjithashtu SPAK ka vendosur sekuestrimin e shoqërisw tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k, pasuri të paluajtshme në zotërim të të pandehurve, Redi Molla, Mariglen Qato dhe të afërmëve të tyre, të financuara plotësisht apo pjesërisht nga të ardhura me burime financimi që përbëjnë produkte të veprës penale, me vlerë totale prej rreth 107,989,000 lekë, Shoqërinë tregtare “Restur” sh.p.k dhe 24% e kuotave në shoqërinë “Mediterranean Investment Group” sh.p.k, me vlerë të aksioneve dhe të drejtave të pagueshme, në total rreth 77,273,000 lekë.
Gjithashtu sipas SPAK parata e përfituara nxirreshin nga sistemi bankar përmes skemave fiktive nga të pandehurit. Versus.al







