Austri- Një tragjedi ka ndodhur në Vjenë ku 3 shqiptarë nga Kosova dhe një shtetas boshnjak humbën jetën si pasojë e shembjes së një skele ndërtimi.
Ngjarja ka ndodhur në distriktin Alsergrund gjatë punimeve në oborrin e një ndërtese të vjetër. Viktimat janë identifikuar si Pajtim Bajrami, 36 vjeç, Asllan Musliu 49 vjeç dhe I.Zekaj.
Operacioni i kërkim-shpëtimit u përball me vështirësi të mëdha, pavarësisht angazhimit të mbi 100 efektivëve të zjarrfikësve, policisë dhe shërbimit mjekësor. Terreni i pasigurt, betoni i freskët dhe rrënojat e paqëndrueshme e bënë ndërhyrjen të rrezikshme, duke detyruar ekipet të punonin në disa raste edhe me duar.
Pas rreth një ore e gjysmë kërkimesh, ekipet arritën të nxjerrin të gjallë një 45-vjeçar, i cili u transportua menjëherë në spital me dëmtime të rënda në kokë, thyerje në gjymtyrë dhe probleme serioze në shtyllën kurrizore.
Fatkeqësisht, për katër punëtorët e tjerë nuk pati shpëtim, pasi ata humbën jetën nën rrënoja. Autoritetet po vijojnë me hetimet për të dokumentuar plotësisht ngjarjen dhe për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Versus.al

