Pas detajeve të publikuara në media lidhur me “Durana Tech Park” që supozohej të ishte parku i parë teknologjik e shkencor në Shqipëri, drejtoresha Florenca Haxhi ka publikuar një video në rrjetet sociale me qëllim sqarimin e çdo paqartësie lidhur me mënyrën e operimit të parkut i cili ka mbetur thjesht në letër pasi në vendndodhjen e përcaktuar nuk ka asgjë të ndërtuar.
Haxhi shprehet se ‘Durana Tech Park’ vepron në bazë të VKM-ve të qeverisë përkatësisht nr.185 dhe 73 gjatë vitit 2024 dhe 2025.
“Durana operon bazuar në ligjin 58 të vitit 2022 si dhe në bazë të disa VKM-ve që kanë dalë gjatë vitit 2024 dhe 2025. Dy VKM-të më të rëndësishme janë VKM 185 që përcakton listën e aktiviteteve të lejuara në park si dhe VKM 73 e cila përcakton mënyrën e operimit në park”- thotë ajo.
Ndërsa më tej e bën fakt të kryer se që prej fillimit është zgjedhur një mënyrë hibride e operimit dhe aktualisht veprohet 100% virtualisht, ndërsa më pas do të ketë edhe hapësirë fizike.
“Mënyra e operimit është e tillë që në fillim parku operon 100% virtualisht dhe më pas pas ndërtimit të parkut fizik do operojë në mënyrë hibride. Kjo mënyrë e operimit është bazuar në shumë modele të tjera që ekzistojnë në botë dhe siguron që investimi i kryer nga qeveria për parkun të jetë në koherencë të plotë me kërkesat dhe nevojat që kanë rezidentët e parkut për hapësirat fizike në park”- shtoi Haxhi.
Ajo çfarë është shqetësuese në këtë skemë që së fundmi po konsiderohet si ‘parajsë fiskale’ për dhjetëra kompani që të mos paguajnë taksa, mes të cilave edhe ato të biznesmenit të shpallur në kërkim Ermal Beqiraj, është fakti se në VKM nr.185 në asnjë paragraf nuk përmendet se ky park do të operonte virtualisht. Përkundrazi, në vendimin e firmosur në datë 24.3.2024 theksohet qartë vendndodhja dhe sipërfaqja e parkut.
Më 2 prill 2025, kryeministri Edi Rama dha certifikatat për rezidentët e parë të këtij parku të cilët vetëm të tillë nuk janë pasi nuk ka asnjë ndërtesë fizike ku ata të mund të jenë rezidentë përveçse një trualli bosh në Xhafzotaj. Versus.al

