
Pas arratisjes së Altin Ndocit, autoritetet kanë vendosur pezullimin e të gjithë zinxhirit komandues të Burgut të Durrësit së bashku me stafin mjekësor ku i burgosuri kishte vajt për mjekim.
Masa përfshin drejtorin e institucionit, shefin e policisë së burgjeve dhe zyrtarë të tjerë përgjegjës, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Burime zyrtare bëjnë me dije se pritet të dalin edhe konkluzionet lidhur me përgjegjësitë penale për skandalin e arratisjes.
Altin Ndoci, i arrestuar me urdhër të SPAK dhe i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë kriminale, u arratis ditën e sotme nga paraburgimi i Durrësit, teksa po trajtohej në spital për probleme shëndetësore.
Ndoci dyshohet se ka qenë pjesë e grupit kriminal të të shumëkërkuarit Talo Çela dhe akuzohet për përfshirje në disa ngjarje të rënda kriminale.
Mes tyre janë vrasja e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia në Durrës në vitin 2020, si edhe ngjarja e njohur si masakra e Bradasheshit në vitin 2018, ku u vranë Endrit Alibej dhe daja i tij, Arben Dylgjeri.
Hetimet për arratisjen vijojnë, ndërsa autoritetet janë në kërkim të të arratisurit dhe po verifikojnë të gjitha procedurat e ndjekura nga strukturat përgjegjëse./Versus.al


