AKTUALITET /

Afera “Partizani”, gjyqtarja Davidhi ‘vulos’ sot fatin e Berishës, dhëndrit të tij dhe 3 të pandehurve të tjerë

Davidhi pritet të vendosë nëse çështja do të mbyllet apo do të kalojë për gjykim. Në rastin e dytë kjo do të konfirmonte mundësinë e dënimit të Berishës i cili akuzohet për korrupsion pasiv.

Shkruar nga Versus

Afera “Partizani”, gjyqtarja Davidhi ‘vulos’ sot fatin e

Tiranë- Sot në Gjykatën e Posaçme, gjyqtarja Flojera Davidhi do të vendosë mbi çështjen e njohur si “afera “Partizani” për të cilën janë marrë të pandehur ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 bashkëpunëtorë të tyre.

Në orën 12:00, Davidhi pritet të vendosë nëse çështja do të mbyllet apo do të kalojë për gjykim. Në rastin e dytë kjo do të konfirmonte mundësinë e dënimit të Berishës i cili akuzohet për korrupsion pasiv.

Seanca vjen një ditë pas asaj të mbajtur ditën e djeshme në GJKKO për Ilir Metën i cili u la në burg nën akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të të ardhurave lidhur me aferën “Cez-Dia”, lobimin në SHBA dhe fshehjen e pasurive të pajustifikueshme të tij dhe të ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi.

Sali Berisha mbahet nën arrest që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar pasi refuzoi të zbatonte masën “detyrim paraqitje” e cila ishte caktuar për të. Ai ka mohuar akuzat e bëra ndaj tij duke i cilësuar ato si të frymëzuara politikisht. Ndërsa për të njëjtën çështje mbahet nën arrest shtëpie edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

Në total të pandehur për aferën, janë marrë 5 persona nën akuza të ndryshme, konkretisht:

Ish-kryeministri Sali Berisha në arrest shtëpie prej muajit dhjetor, akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim me dhëndrin e tij

Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës dhe një prej trashëgimtarëve të pronave në ish-kompleksin sportiv të Partizanit, akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash

Fatmir Bektashi, ndërtuesi i kullave në kompleks, akuzohet për korrupsion aktiv të zyrtarëve të lartë, në këtë rast të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe për pastrim parash

Andia Pustina, juristja që ka kryer veprimet proceduriale në kalimin e pronësisë, akuzohet për pastrim parash

Xhimi Begeja, kushëri dhe ortak i Jamarbër Malltezit, akuzohet për pastrim parash. Versus.al

Poll