Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta doli sot para Gjykatës së Posaçme pas dy ditëve qëndrim në bllokun e sigurisë së lartë “Mine Peza”. Ish-presidenti mbërri në gjykatë me masa të rrepta sigurie. *Ndërsa më pas mbërritën edhe Pirro Xhixho dhe Ema Çoku, të dy të akuzuar si bashkëpunëtor të tij dhe Kryemadhit në kryerjen e veprave penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave. *E fundit që mbërriti ishte Kryemadhi e cila para kamerave shprehu indinjatën për publikimin e dosjes hetimore të saj dhe ish-bashkëshortit Ilir Meta duke e konsideruar si “nxjerrje të sekretit hetimor” dhe për këtë tha se do u kërkonte llogari mbi këtë gjë. *Seanca u shty për të rinisur në orën 13:30 në mënyrë që t’u jepej kohë avokatëve mbrojtës që të njiheshin me aktet hetimore. Ndërsa u mësua se gjatë seancës ka patur përplasje të forta mes kreut të PL Ilir Meta dhe kreut të SPAK, prokurorit Altin Dumani. Ky i fundit është kërcënuar dhe ofenduar nga Meta gjatë seancës gjyqësore. *Ndërsa Kryemadhi tha për mediat se prokurorët nuk kanë guxim të flasin për mediat pasi marrin urdhra për çdo gjë nga kryeministri Edi Rama. Ajo e cilësoi provokim futjen në të njëjtën sallë gjyqi me Ilir Metën duke ditur sesi janë raportet mes tyre që pas divorcit. *Meta dhe Kryemadhi akuzohen të dy për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurie sa i takon aferës së njohur si “CEZ-DIA”, lobimit në SHBA dhe fshehjes së pasurisë së pajustifikuar.
Kryemadhi: Mu thaftë goja dhe dora, bashkë me Ramën gënjyem Ilir Metën që të bënim Erion Veliajn kryetar bashkie
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi duke folur për mediat pas dhënies së vendimit të Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë, ka treguar edhe episode të kohës kur ishte në bashkëqeverisje me Edi Ramën.
E pyetur nga gazetarët për mesazhet, Kryemadhi u shpreh e penduar që bashkë me Edi Ramën kishte gënjyer Ilir Metën në 2014, për të bërë kryebashkiak Erion Veliajn.
“Ata e kanë thirrur Edi Ramën, kanë parë mesazhet së bashku me të te telefoni im, i janë kujtuar kohët e vjetra, thashethemet që kemi bërë.
I është kujtuar edhe, se kështu është të zënë haqet, që e kemi gënjyer atëherë Ilir Metën, unë dhe Edi Rama që të bënim Erion Veliajn kryetar bashkie.
Mu thaftë goja dhe dora bashkë.
Mirupafshim!”, tha Monika Kryemadhi për gazetarët tek Gjykata e Posaçme.
VIDEO/ Pas masës së sigurisë, Ilir Meta transferohet në qelitë e burgut 313
Ilir Meta do të qëndrojë pas hekurave në qelitë e paraburgimit të burgut 313.
Pas seancës së gjatë gjyqësore prej më shumë se 5 orësh, ish-presidenti u kthye edhe njëherë në bllokun e sigurisë për të kryer procedurat për t’u vendosur në burgun 313.
Më herët, Gjykata e Posaçme e cilësoi të ligjshëm arrestimin e Ilir Metës dhe vendosi ta lerë atë nën masën e sigurisë arrest me burg.
A ndiheni të keqardhur që karriera juaj politike po mbyllet në dyert e drejtësisë? Ja si përgjigjet Monika Kryemadhi
Pas përfundimit të seancës gjyqësore në GJKKO, deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi foli para gazetarët për vendimin që mori Gjykata.
Kryemadhi u shpreh se metodologjia që është përdorur kundër saj dhe familjes së saj është shumë e shëmtuar.
E pyetur nëse ndihet e keqardhur që po i mbaron karriera e saj politike në dyert e drejtësisë bashkë me ish-bashkëshortin e saj Ilir Metën, Kryemadhi u shpreh se mund të mbyllet një karrierë por mund të hapësh një tjetër që mund të formatosh politikën.
Monika Kryemadhi: E para njëherë karriera politike nuk është e domosdoshme. Unë asnjëherë nuk jam marrë me politikë për të bërë karrierë. E kam përdorur politikën si instrument për të ndihmuar njerëzit. Politika është një mjet shumë i rëndë për tu mbajtur. Sigurisht që metodologjia që është përdorur kundër meje dhe familjes timë është shumë e shëmtuar. Uroj që kjo gjë të mos jetë për tjerët. Sot nuk ke më njerëz që duan të punojnë në administratë publike apo të merren me politikë. Sot në politike janë djem, vajza apo ushtarët e bandave kriminale sepse në fund të ditës prodhimi apo produktiviteti apo përfitimi që vjen nga trafiku i drogës është shumë më i lartë se një rrogë deputeti.
Mund të mbyllësh karrierën politike por mund të hapësh një karrierë tjetër që mund të formatosh politikën. Unë nuk lejoj që një sistem drejtësie e kapur të më bëj pis. Do i kaloj të gjitha shkallët e gjyqësorit me qetësi. Unë për telefonin janë në Gjykatën Kushtetuese pas Gjykatës Kushtetuse do të shkojë në Strasburg. Kur t'i vijë kohë koha edhe kur të vdes kam tre trashigimtarë që mund ta ndjekin. Kanë hapur një precedent shumë të shëmtuar se nese operacioni i Monika Kryemadhit ka kushtuar 6 mijë e 500 euro se di si do të dalin dhëmbët e Edi Ramës në Dubai dhe operacionet e shoqërisë së Erion Velias.
GJKKO rikonfirmoi masën arrest me burg për Ilir Metën dhe masën detyrim paraqitje për Monika Kryemadhin.
Gjithashtu mësohet se GJKKO rikonfirmoi masën detyrim paraqitje për Ema Çokun, ndërsa ka ndryshuar masën për Pirro Xhixhon, për të cilin është vendosur masa “detyrim paraqitje” nga arrest shtëpie që ishte./Versus.al
“I thashë Genc Gjokutajt je avokat joserioz”, Kryemadhi: Duhet të kishte kërkuar burg për mua dhe liri për Metën
Në deklaratën për mediat pasi Gjykata e Posaçme konfirmoi masën detyrim paraqitje për të, Monika Kryemadhi tregoi edhe një komunikim që ajo pati me avokatin Genc Gjokutaj në sallën e gjyqit.
Kryemadhi u shpreh se avokati duhet të kishte kërkuar burg për të dhe detyrim paraqitje për Metën pasi për veprat e saj po akuzohet ai pa asnjë faj.
“Unë sapo i thashë Genc Gjokutajt që është një avokat joserioz pasi duhet të kërkoje detyrim paraqitje për Ilir Metën dhe arrest me burg për mua.
Sepse 167 faqe janë veprat e mija për të cilat akuzohet Meta. Nuk ka lidhje Ilir Meta. Ka qenë kryetar parlament, president. Këto janë absurditete”, tha Kryemadhi.
Gjykata lë në burg Metën, Kryemadhi detyrim paraqitje, Xhixho del nga “arresti i shtëpisë”
Gjykata e Posaçme ka vendosur që të lejë në fuqi masat e sigurisë për Ilir Metën, Monika Kryemadhit, Ema Çokut.
Ndërkaq ka ndryshuar masën e sigurisë për Pirro Xhixhon, të cilin e ka lënë në detyrim paraqitje, nga “arrest në shtëpi” që ishte më parë.
Kështu, kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta do të qëndrojë në qeli.
Monika Kryemadhi në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa edhe Ema Çoku në “detytim paraqitje”.
Në njoftimin zyrtar, të shpërndarë për arrestimin e kreu të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, SPAK ka zbardhur akuzat dhe shkeljet ligjore, që rëndojnë mbi të.
Sipas SPAK, në cilësinë e Kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, nuk ka deklaruar një shumë prej 463 mijë dollarë nga lobimi që ka bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo shumë thekson SPAK nuk është pasqyruar në bilancet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, të depozituara pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
"Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit R. K. kryer në ish Prokurorinë e Krimeve të Rënda, procedimin penal Nr. 55 të vitit 2019. Objekti i hetimit të këtij procedimi janë veprimet korruptive të zyrtarëve të shtetit në lidhjen dhe zbatimin e kontratës së shërbimit CEZ-DIA.
Ndërkohë që po vijonin hetimet për këtë procedim, mbi bazën e kallëzimeve të shtetasve Halit Valteri dhe Idajet Beqiri, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal nr.122 të vitit 2022 për veprat penale “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve vendorë”, “Pastrim i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 i K.Penal.
Në vijim të hetimeve, procedimet e sipërcituara janë bashkuar në një procedim të vetëm në vitin 2024.
Nga sa më sipër, janë dokumentuar disa episode ku subjektet e këtij procedimi penal I.M. dhe M. K. në bashkëpunim mes tyre por edhe me funksionarë të tjerë publikë janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale.
1- Është provuar se ish-Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, I. M., ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje. Kjo kontratë kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura", theksohet në njoftimin e akuzave nga ana e SPAK-ut.
President, kryeministër dhe kryeparlamentar, kush është Ilir Meta, i arrestuar me urdhër të SPAK?
Ish-Presidenti, ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, është arrestuar këtë të hënë me urdhër të SPAK.
Meta ka mbajtur postet më të larta shtetërore ndërsa aktualisht ishte president i Partisë së Lirisë.
Ilir Rexhep Meta, i lindur më 24 mars 1969 në Skrapar, Shqipëri, është një nga politikanët më të njohur në vend. Ai ka ndjekur studimet në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, ku ka përfunduar me sukses dhe ka vazhduar studimet pasuniversitare.
Aktiviteti i tij politik filloi në vitin 1990, pas rënies së komunizmit, ku ai u angazhua si pjesëmarrës aktiv në lëvizjet studentore për pluralizmin politik.
Meta u zgjodh për herë të parë deputet në vitin 1992 dhe ka shërbyer në shumë poste të rëndësishme. Ai ka shërbyer si Kryeministër i Shqipërisë nga 28 tetori 1999 deri më 29 janar 2002. Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001, ai u rizgjodh si Kryeministër, por dha dorëheqjen më 29 janar 2002 për shkak të tensioneve brenda partisë së tij.
Në vitin 2004, ai themeloi Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), një parti që synonte integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Meta mbajti postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë nga 10 shtatori 2013 deri më 28 prill 2017. Pas përfundimit të mandatit si Kryetar i Kuvendit, ai u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë më 28 prill 2017.
Më 28 prill 2017, Ilir Meta u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë me 87 vota nga 140 anëtarët e parlamentit. Gjatë mandatit të tij si president, ai është përballur me sfida të shumta politike dhe sociale, duke përfshirë një krizë të thellë politike që çoi në një proces “impeachment”-i në vitin 2021. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e shpalli atë të pafajshëm dhe anuloi vendimin e parlamentit.
Ai është i martuar me Monika Kryemadhin, me të cilën ka tre fëmijë, edhe pse së fundmi ka lajmëruar se kanë nisur procedurat e divorcit.
‘Më nxirrni mua, ç’dua unë këtu me Ilirin’, Kryemadhi hyn duke kënduar në sallën e gjyqit, batuta para nisjes së seancës
Monika Kryemadhi duket se i ka marrë me më shumë sportivitet akuzat e SPAK ndaj saj se sa ish-bashkëshorti i saj Ilir Meta.
Sipas burimeve për Versus.al, para nisjes së seancës për dhënien e masës së sigurisë, Kryemadhi këndonte në korridor teksa hyri në sallë kur palët akoma nuk kishin hyrë.
'Ç'dua unë këtu? Më nxirrni mo, ç'dua unë t'rri me Ilirin këtu", ka bërë batuta ajo me të pranishmit.
Kryemadhi dhe Meta akuzohen nga SPAK për 3 vepra penale. /Versus.al
VIDEO/ Meta në kafazin e qelqtë, Kryemadhi flet me policin! Rinis seanca në GJKKO
Ashtu siç ishte paracaktuar, ka nisur në orën 13:30 seanca e shtyrë në GJKKO ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut.
Në pamjet e siguruara nga Versus.al shihet momenti kur Ilir Meta është brenda kafazit të qelqtë ndërkohë, ish-bashkëshortja e tij hap derën e sallës ku komunikon edhe me njërin prej efektivëve të pranishëm.
Më herët gjatë seancës që nisi në orën 09:30, pati përplasje të ashpra mes kreut të PL, Ilir Metës dhe prokurorëve të SPAK. Meta kërcënoi kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanin me fjalët “të kam vath në vesh, çfarë kam për të të punuar”.
Ndaj ish-çiftit të bashkëshortëve rëndojnë akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të ardhurash. Ndërsa Pirro Xhixho nën arrest shtëpie akuzohet po ashtu për korrupsion të kryer në bashkëpunim. Ema Çoku me masë “detyrim paraqitje” akuzohet për pastrim parash. Versus.al
"Në shtëpinë time kanë ngrënë bukë Rama e Basha", Kryemadhi: Nuk jam njeri pa njeri
Pasi u pyet për një deklarate të dhënë nga kushëriri i saj Adrian Shatku, njëkohësisht edhe biznesmeni që kërkonte të hynte në tregun e fibrave optike me një kompani të tijën, deputetja e PL Monika Kryemadhi solli në dukje se jo vetëm ai por të gjithë krerët e politikës shqiptare kanë qenë në shtëpinë e saj.
Kryemadhi nënvizoi se ka ndihmuar gazetarë e persona të rangut të ndryshëm të cilët i kanë kërkuar ndihmë në mënyrë të vazhdueshme.
Pjesë nga pyetjet:
Gazetari: Po kështu pra thotë dosja, thotë që përshkruan kuzhinën përshkruan ashensorin.
Kryemadhi: Në shtëpinë time ka qenë ai, tek ajo shtëpi ka hyrë edhe Edi Rama, te ajo shtëpi ka hyrë edhe Sali Berisha, edhe Lulzim Basha edhe Erion Veliaj. Kushdo ka hyrë në shtëpinë time, kanë ngrënë dhe bukë. Dhe biznesmenë kanë hyrë aty, pse çfarë jam unë njeri pa njeri? Sa gazetarë më kanë kërkuar ndihmë se ua kishin hequr familjarët nga puna për arsye politike. Një gazetareje a ia hoqën burrin nga biznesi? Po çfarë, a do mbyll gojën unë? Kam ndihmuar dhe do vazhdoj të ndihmoj. Po sa aktorë të portokallisë më kanë kërkuar ndihmë se i trajtonin sipas interesave partitë politike. Po ne një fshat i vogël jemi, është turp, njihemi me njëri-tjetrin.
Sa i takon pyetjeve të drejtuara Kryemadhit për kushëririn e saj Adrian Shatkun, një biznesmen shqiptaro-amerikan, bëhet fjalë për një kërkesë të tij për të hapur një kompani të fibrave optike në Shqipëri. Kryemadhi tha para gazetarëve se nuk bëhej fjalë për ndikim të saj dhe se i vetmi diskutim që ka pasur me të për këtë pjesë ka qenë për të parë nëse një gjë e tillë ishte e mundur. Por sipas SPAK, Kryemadhi e Meta kanë ndërhyrë për ta bërë të mundur një gjë të tillë dhe më pas sipas dosjes, nga llogaria e Ardian Shatkut është bërë një pagesë e madhe prej qindra mijëra eurosh ndaj një kompanie konsulence të kontraktuar nga LSI. Versus.al
Ligj me porosi për Samir Manen? Monika Kryemadhi jep detaje nga dosja e SPAK
Monika Kryemadhi ka folur për gazetarët pas daljes së saj nga GJKKO ku ka dhënë detaje dhe për një ligj me porosi ndaj biznesmenit Samir Mane që dëshmohej në dosjen e SPAK.
Kryemadhi është shprehur se ligji është bërë për të unifikuar të drejtat e minatorëve dhe nuk është kërkuar nga Mane.
Monika Kryemadhi: Unë zotit Samir Manes i kam shitur një shtëpi në 2006 me vlerën 300 mijë euro me kontratë sipas ligjit të asaj kohe. Në 2014 është një ligj që e ka kërkuar Vali Vizhgha, shefe e kabinetit të Edi Ramës e cila është nga qeveria shqiptare për unifikim dhe kompanive që merreshin me galerinë e minierave.
Përparim Spahiu kishte propozuar në emër të LSI statusin e minatorit. Pasi merrreshin nga një person 20 metra nga një tjetër 30 metra dhe duhej një ligj që duhej të unifikohej që nuk e ka kërkuar Saimir Mane. Saimir Mane kishte një sindikatë minatore. Ne e kemi propozuar dy herë dhe ne e shikojmë se minatorët akoma protestojnë. Genc Ruli ka qenë n/kryetar dhe Eduart Shalsi kryeatar. Ligji është bërë për unifikimin e rregullave të sigurisë, sigurimeve të minatorëve dhe për disa procedura të tjera.
Nuk e mbaj mend a ka shkuar ligji, por nuk ka të bëjë me Samir Manen. Kam deshtë me ble një vilë tek Saimir Mane në Rolling Hills. Kam shkuar e kam parë pa lejen e Ilir Metës me bashkëshorten e Samir Manes. Ambasadori greke gjatë një takimi me Ilirin i thotë do jemi komshi bashkë i cili mbeti i habitur pasi ne jetonim në atë kohë tek blloku. Iliri vjen në darkë dhe me thotë se nuk mund të marrësh asgjë dhe ti do më pyes çfarë do të marrësh. I kam dërguar një mesazh gruas së Samir Manes që nuk do ta marr. Kjo është historia e ligjit të Saimir Manes. Më vjen keq se kam 7-8 vite që nuk i flas e kam intimiduar dhe i kam prishur punë në biznesin e tij./Versus.al
“Ku kanë b*thë të flasin pa lejen e Ramës”, Kryemadhi del nga GJKKO: Pashë 3 musketjerët e SPAK, Meta ‘i përkëdheli’

Monika Kryemadhi doli nga GJKKO pas shtyrjes së seancës ku do të konfirmohet masa e sigurisë ndaj saj dhe pati akuza të ashpra ndaj prokurorëve të SPAK për të cilët u shpreh se është e bindur se marrin urdhra nga kryeministri Edi Rama.
“Sapo pashë 3 muskutjerët e drejtësisë së Ramës, Altin Dumanin, Krajën dhe Sotir Kllapin. Ishte eksperienca ime e parë në sallë gjyqi, pati mashtrim të drejëpërdrejtë nga prokurori Arben Kraja i cili tha se Meta është marrë në mënyrë normale dhe ka pranuar aktin. Ndërsa ju jeni dëshmitarë sesi Meta u rrëmbye. Kërkuan të njiheshim me provat e thashethemeve të ngritura prej tyre. Bujaria e gjyqtarit të drejtësisë së kastruar të Edi Ramës, na la 3 orë kohë. I kam kërkuar edhe gjyqtarit edhe prokurorit. Kjo godina këtu mbrapa nuk është drejtësia e re por departamenti i marrëdhënieve dhe të propagandës së Edi Ramës. Të jeni të bindur që sot kam kuptuar që veglat njëpërdorimshme të Edi Ramës dhe të gjithë grupit të strukturuar kriminal që nga inceneratorët, 5D e famshme, pallatet e drogës, koncesionet që vjedhin paratë, i pamë në fytyrat e tyre të veshura me togat e zeza. Nuk ka më asnjë shpresë për një sistem drejtësie të kapur dhe të manipuluar”- u shpreh Kryemadhi.
Sa i takon pretendimeve se Meta ka pasur përplasje me prokurorët, Kryemadhi tha se sipas saj Meta i ‘përkëdheli’ prokurorët me ofendimet e bëra.
“Nuk flas fare për zotin Meta. Kanë bërë një provokim të hapur dhe në mënyrë të qëllimshme na kanë futur të dyve në një sallë për të marrë masa arresti në burg kur secili prej nesh e ka të drejtën ta marrë në mënyrë individuale. Për të larguar vëmendjen nga Encrochat e trafiku i drogës, kërkojnë të bëjnë një shou mediatik e politik”- shtoi deputetja e PL.
Ajo theksoi se prokurorët e SPAK nuk mund të japin dot deklarata për mediat pa marrë leje nga Rama.
"Ku kanë b*thë me fol ato mor burrë i dheut, ku folin dot pa lejen e Edi Ramës. Arben Kraja a e ka mbesën drejtoreshë të lidhur me inceneratorin e Tiranës? Ilir Meta sikur i përkëdheli ata, jo i ofendoi. A e dini ju se kush e ka trajnuar BKH-në? Burri i Vlahutin. Gjëmoni paranë se unë ashtu shkova te Rama e Veliaj për inceneratorët”- tha Kryemadhi. Versus.al
“Mbaje mend çfarë kam për të të punuar”, Meta kërcënon kreun e SPAK brenda GJKKO

Është shtyrë për në orën 13:30 seanca në Gjykatën e Posaçme ku pritet të njihen me masën e sigurisë kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi dhe bashkëpunëtorët e tyre Pirro Xhixha e Ema Çoku.
Në seancën e nisur në GJKKO në orën 09:30 ka pasur përplasje të ashpra mes kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe prokurorëve të SPAK. Sipas burimeve, Meta ka ofenduar rëndë kreun e SPAK, Altin Dumanin duke iu drejtuar me fjalët “Dumduman, qen”, ofendime që i ka bërë edhe në deklarata të mëparshme që ka pasur para mediave.
“Të kam vath në vesh, mbaje mend se çfarë kam për të të punuar”- mësohet të jetë shprehur Meta mes të tjerash.
Sipas raportimeve nga seanca gjyqësore, Altin Dumani ka qëndruar i qetë dhe nuk ka replikuar me Metën.
Raportohet se shpërthimi i Metës ka ardhur pasi gjatë fjalës së tij, prokurori i SPAK Arben Kraja, është shprehur se nuk ka pasur incident gjatë arrestimit të kreut të PL mesditën e të hënës, pavrësisht se në media u publikuan pamjet kur ish-presidenti u nxorr zvarrë nga automjeti me të cilin po hynte në Tiranë. Kanë qenë avokatët e të akuzuarve, ata të cilët kanë kërkuar shtyrjen e seancës për të pasur kohë që të njihen me aktet hetimore ndaj klientëve të tyre. Versus.al
VIDEO/ "Po shkoj t'ju shoh fytyrat si i kanë", Kryemadhi mbërrin në GJKKO: Do i pyes kush e nxorri sekretin hetimor
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka mbërritur në GJKKO ku do të njihet me masën e sigurisë. Ajo foli para gazetarëve ku bëri me dije se sapo të hyjë në GJKKO do kërkojë llogari prej prokurorëve se cili e ka shpërndarë dosjen hetimore të saj dhe Metës.
“Po shkoj sot për të paraqitur përballë një sistemi të drejtësisë së kastruar, për të kërkuar nga ata kush e ka shpërndarë dosjen në media që kanë nxjerrë sekretin hetimor. Për të kuptuar se drejtësia e Edi Ramës nuk është drejtësia që kanë kërkuar qytetarët shqiptarë. T’u shikojmë edhe fytyrat si i kanë a do e përballojnë dot apo jo”- u shpreh mes të tjerash Kryemadhi.
Të njëjtat pretendime për nxjerrje të sekretit hetimor, deputetja i kishte edhe gjatë deklaratës për mediat të bërë ditën e djeshme ku akuzoi SPAK-un për nxjerrje të sekretit hetimor dhe më pas deklaroi se do të rikthehej në politikë për betejën ndaj Ramës dhe zyrtarëve të tjerë qeveritarë të cilët sipas saj janë të përfshirë në afera korruptive. Versus.al
VIDEO/ I shoqëruar me polic, i ati i Erisa Xhixhos shkon në GJKKO! Mbërrin dhe bashkëpunëtorja tjetër e Metës dhe Kryemadhit

Ky është momenti kur dy bashkëpunëtorët e Metës dhe Kryemadhit, Pirro Xhixh dhe Ema Çoku kanë mbërritur në GJKKO për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tyre. Për Pirro Xhixhon, të atin e deputetes Erisa Xhixho, GJKKO ka caktuar “arrest shtëpie” nën dyshimin se ka kryer veprën penale të korrupsionit të zyrtarëve shtetërorë gjatë kohës që ka mbajtur postin e kreut të AKEP.
Sipas dosjes së SPAK, nga bisedat e zhvilluara midis Monika Kryemadhit dhe Piro Xhixhos rezulton se ky i fundit ka vendosur autoritetin e tij si kryetar i këshillit drejtues të AKEP, plotësisht në funksion të interesave ekonomike dhe politike të llir Metës dhe Monika Kryemadhit, duke e shkelur detyrimin ligjor. Ndërsa për Ema Çokun, është caktuar masa “detyrim paraqitje” nën akuzën e pastrimit të parave, kryer në bashkëpunim me Metën e Kryemadhin. Versus.al
VIDEO/ Dy ditë qëndrim në burgun e sigurisë së lartë, Ilir Meta mbërrin në GJKKO nën masa të rrepta policore

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë nga blloku i sigurisë së lartë ku ka qëndruar që prej të hënës dhe ka mbërritur sot në GJKKO ku pritet t'i konfirmohet masa e arrestit me burg.
Mbërritja e tij në GJKKO është bërë nën masa të rrepta policore. Kujtojmë se arrestimi i Metës u cilësua si i papranueshëm nga shumë analistë e politikanë të cilët thanë se ishte e panevojshme tërheqja e tij me forcë nga makina me të cilën po hynte në Tiranë i shoqëruar nga sekretari organizativ i PL, Artemis Peca. Versus.al
U arrestua në hyrje të Tiranës, sot gjyqi për Ilir Metën! Del para GJKKO edhe Kryemadhi, tre akuza kundër tyre

Tiranë- Në orën 09:30 të ditës së sotme Gjykata e Posaçme nis seancën për konfirmimin e masës së arrestit ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili u arrestua mesditën e 21 tetorit në hyrje të kryeqytetit, is-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe personat e tjerë nën hetim si bashkëpunëtorë të tyre.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sot, me datë 22.10.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit për personat nën hetim Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Piro Xhixho dhe Ema Çoku”- thuhet në njoftimin e GJKKO.
Për arrestimin e Metës pati sot një reagim nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit që theksonte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për SPAK-un sa i takon goditjeve të korrupsionit në nivelet e larta.
Kryetari i Partisë së Lirisë, akuzohet për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të të ardhurave që janë kryer në atë që njihet si afera “CEZ-DIA”, lobimi i LSI-së në SHBA dhe fshehja e pasurive të pasjustifikuara të ish-çiftit të politikanëve. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj deputetes së PL, Monika Kryemadhit, por për këtë të fundit është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Në një konferencë të gjatë që pati me mediat gjatë ditës së djeshme, Kryemadhi u shpreh e prekur nga zhvillimet e fundit dhe paralajmëroi rikthim të saj në politikën aktive me denoncime të tjera ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe kryebashkiakut Erion Veliaj duke pretenduar se këta të fundit qëndrojnë pas arrestimit të Metës që e konsideroi si “urdhër politik”. Ajo mori përsipër shpenzimet financiare të bëra duke thënë se ish-presidenti Ilir Meta nuk ka pasur asnjë dijeni mbi to dhe i arsyetoi duke thënë se të gjitha shpenzimet janë të deklaruara dhe ato të cilat cilësohen si “operacione plastike” sipas saj janë në fakt operacione të bëra për t’i shpëtuar jetën djalit të saj.
Për Pirro Xhixhon, të atin e deputetes Erisa Xhixho, GJKKO ka caktuar “arrest shtëpie” nën dyshimin se ka kryer veprën penale të korrupsionit të zyrtarëve shtetërorë gjatë kohës që ka mbajtur postin e kreut të AKEP. Sipas dosjes së SPAK, nga bisedat e zhvilluara midis Monika Kryemadhit dhe Piro Xhixhos rezulton se ky i fundit ka vendosur autoritetin e tij si kryetar i këshillit drejtues të AKEP, plotësisht në funksion të interesave ekonomike dhe politike të llir Metës dhe Monika Kryemadhit, duke e shkelur detyrimin ligjor që përcakton se “AKEP është person juridik, publik i cili drejtohet nga Këshilli Drejtues që është i pavarur në marrjen e vendimeve dhe funksionon në bazë të rregullores së brendshme, të miratuar nga ai vetë. Këshilli Drejtues përbëhet nga 5 anëtare, të cilët zgjidhen nga Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave”. Në mesazhet e tij drejtuar Monika Kryemadhit, Piro Xhixho i drejtohet kësaj të fundit me emrin “Mona” ndërsa kur bëhet fjalë për llir Metën, i drejtohet me emrin “shefi” dhe “I madhi”. Ndërsa për Ema Çokun, është caktuar masa “detyrim paraqitje” nën akuzën e pastrimit të parave, kryer në bashkëpunim me Metën e Kryemadhin. Versus.al
Arrestimi i Metës, reagon DASH: SHBA-të mbështesin SPAK-un në ndëshkimin e korrupsionit në nivelet e larta
SHBA thotë se mbështet përpjekjet e SPAK-ut kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Qëndrimi i Uashingtonit u shpreh në një përgjigje të Departamentit amerikan Shtetit të martën në mbrëmje, ndaj një kërkese të Zërit të Amerikës për të komentuar pas arrestimit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.
“Jemi në dijeni të arrestimit. Ju referojmë tek autoritetet shqiptare për detaje të mëtejshme në lidhje me rastin. Shtetet e Bashkuara mbështesin përparimin e Shqipërisë drejt sundimit të ligjit, përfshirë përpjekjet e SPAK-ut për të ndjekur penalisht korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, në përputhje me ligjin”, shprehet një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës.
Ish-Presidenti i Republikës dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua të hënën me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
SPAK-u e shpalli persona në hetim nën dyshimet për korrupsion pasiv, mosdeklarim dhe fshehje pasurie si dhe pastrim të parave Ilir Metën, si edhe vendosi masën për detyrim paraqitjeje për Monika Kryemadhin, si edhe arrest në shtëpi për Pirro Xhixhon dhe detyrim paraqitjeje për Ema Çokun.
Avokati mbrojtës Genc Gjokutaj, tha për mediat pas takimit me zotin Meta në mjediset e sigurisë, se akuzat janë të pabazuara dhe arrestimi ëshë bërë për qëllime politike.
Politikanë të tjerë opozitarë e cilësuan veprimin si një sulm politik nga kryeministri Edi Rama ndaj opozitës.
Zoti Meta, ish bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, zoti Xhixho dhe zonja pritet të dalin nesër para gjykatës në një seancë ku do të shqyrtohen masat e sigurisë ndaj tyre.
Krahas akuzave nga SPAK-u për zotin Meta, të martën vazhduan reagimet mbi mënyrën se si u ndalua të hënën në mesditë nga policia ish presidenti i Republikës, i cili e cilësoi ngjarjen si "rrëmbim në mënyrë banditeske".
Por ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha, deklaroi në rrjetet sociale se forca lëvizëse operacionale, e specializuar për ndalime sipas standarteve, gjatë zbatimit të vendimit të gjykatës ndeshi me një subjekt, që kundërshtoi forcërisht t’i nënshtrohej vendimit të Gjykatës, sapo mori dijeni për të.
SPAK-u detajoi të hënën në një njoftim publik se Ilir Meta e Monika Kryemadhi, në bashkëpunim mes tyre dhe me funksionarë të tjerë publikë, dyshohet se kanë kryer korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurish në një seri episodesh, që nisin nga afro 15 vjet më parë. VOA







