Çfarë do të gjeni në brendësi
*Pragu i afatit për dorëzimin në KQZ të listave të kandidatëve për deputetë ka sjellë zhvillime të vrullshme në kampin opozitar. *Fillimisht partia ‘Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian’ njoftoi tërheqjen nga koalicioni për Shqipërinë Madhështore. Shkak u bë fakti se PD nuk u kishte dhënë asnjë vend në listën e hapur të kandidatëve për 11 majin. *Më pas deputeti Dashnor Sula i cili mori më së shumti vota në Primaret e PD në Elbasan, njoftoi se ishte lënë jashtë listave të kandidatëve për deputetë për shkak se është mbështetës i SPAK. Ai njoftoi edhe konferencë për mediat, ndërsa tha se në këtë mënyrë po shkelet statuti i partisë. *Nga ana tjetër, kryedemokrati Sali Berisha do të mbledhë kryesinë në orën 17:00 dhe më pas Këshillin Kombëtar në orën 19:00 për detajet e fundit të listave me kandidatët për deputetë.
“Nuk më kandidojnë se jam SPAK-ist”, deputeti Dashnor Sula lihet jashtë listave për zgjedhjet e 11 majit
Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula nëpërmjet një shkrimi të gjatë në rrjetet sociale ka bërë me dije se është lënë jashtë listave të kandidatëve për ligjvënës në zgjedhjet e 11 majit.
Sula shprehur revoltën e tij duke pretenduar për padrejtësi dhe se ky vendim për ta lënë jashtë listave nuk përputhet me aktivizmin e tij të vazhdueshëm në PD. Sipas tij, arsyeja e këtij përjashtimi është mbështetja që ka dhënë për SPAK, ndërsa ka ftuar mediat ta ndjekin në një konferencë për shtyp në orën 21:00.
Reagimi i plotë:
Listë fituese apo listë për një përfitues?!
Partia Demokratike ka hyrë në fazën finale të listës për betejën e 11 majit. Por a po respektohen kriteret e Statutit të PD dhe te trumbetuara ne media?!
Ndonëse 70-80% e kryesisë së PD defakto ishin kundër primareve, referuar statutit dhe insistimit të PD, primaret u zhvilluan. Si një deputet i qarkut të Elbasanit që përfaqësoj Bashkitë Elbasan, Peqin, Cërrik, Belsh dhe Gramsh, pas 4 vitesh deputet u futa me bindjen pa bërë kulisa të brendshme për të parë a kisha mbështetjen e demokratëve për ri përfaqësuar edhe një mandat. Faleminderit demokratëve, të Elbasanit, Peqinit, Cërrikut, Gramshir e Belshit, dola i pari si më i votuar.
Në 4 vite si deputet kam denoncuar kontrabandën e naftës, braktisjen e bujqësisë e shumë të tjera.
Instituti i Studjimeve Politike më ka renditur disa herë te 10 deputetët më aktivë të Parlamentit në Opozitë Bërje.
Çdo ditë kam mbrojtur interesin e votuesve duke denoncuar në media dhe duke mbrojt edhe Partinë Demokratike.
Kam takuar mijëra Shqiptarë në diasporë në këto 2-3 muajt e fundit me një objektiv dhe dëshirë të vetme, ti bind të kontribojne për të bërë vendin e tyre të begatë. Jam pritur me shumë respekt siç edhe i vlersojë
Por, të dashur miq, sapo jam njoftuar se nuk do të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit për një arsye të vetme; sepse jam “SPAKIST”.
Për asnjë moment gjatë kësaj legjislature nuk kam vënë në dyshim vetëm një gjë: mbështjetjen time në çdo dalje në foltoren e Parlamentit të strukturave të Reformës në Drejtësi, SPAK dhe GJKKO-së. Kam besuar dhe besuar dhe vazhdoj të besoj se ato po vazhdojnë ti bëjnë një shërbim të madh këtij vendi, kanë futur në burg njerëz me pushtet, që pak vite më parë as mund të mendoheshin se do të ishin në këtë situatë.
Për mua kjo është një medalje që më vendoset pas 3 mandatesh deputet, po të kihet parasysh se jam mbështetës i atyre strukturave të Drejtësisë, të cilat nga cdo sondazh i bërë, dalin si institucionet më të besuara në vend.
Për veten nuk kam asnjë keqardhje, kur e nisa këtë rrugë në 2005 as e kisha menduar se do rrija në politikë për 20 vjet. Të vetmen keqardhje e kam për demokratët e qarkut të Elbasanit dhe ata mijëra që kam njohur e takuar këto 2-3 muajt e fundit në Diasporë.
Në fund kam edhe një mesazh për ata që janë ngujuar në kullë e po bëjnë listën e qarkut të Elbasanit, jo kushdo që do të futet në atë listë të mbyllur mund t’i gëzojë votat e demokratëve të Elbasanit, Peqinit, Cerrikut, Belshit dhe Gramshit. Keq më vjen, por nuk i keni bërë mirë llogaritë… ftoj të gjithë demokratët që për më shumë të më ndjekin sot në orën 21:00 në media.
Përndryshe, Sula njihet si një ndër deputetët më aktivë të PD edhe në Kuvend ku shpesh herë deklaratat e tij në foltore janë bërë virale. Një prej tyre edhe lidhur me situatën në spitalin e Elbasanit ku denonconte sjelljen e mjekëve ndaj qytetarëve që nuk kishin mundësi ekonomike.
Ndërkohë, nuk ka asnjë reagim nga kryedemokrati Sali Berisha i cili në orën 17:00 mbledh kryesinë e më pas në orën 19:00 edhe këshillin kombëtar për detajet e fundit në listat e kandidatëve. Versus.al
Partia e maqedonasve largohet nga koalicioni me Berishën: Nuk na dhanë vend në listën e hapur

Kur kanë mbetur edhe pak orë nga përfundimi i afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, në koalicionin e drejtuar nga Partia Demokratike, kanë nisur largimet e para.
Partia ‘Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian’ ka dorëzuar në KQZ kërkesën për t’u larguar nga koalicioni opozitar i kryesuar nga kryedemokrati Sali Berisha.
Kërkesa e dorëzuar në KQZ:
Lënda: Kërkesë për çregjistrimin e AMIE-së nga koalicioni zgjedhor "Partia Demokratike - Aleanca për Shqipërinë Madhështore"
I nderuar z. Celibashi,
Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) njofton tërheqjen nga koalicioni zgjedhor "Partia Demokratike - Aleanca për Shqipërinë Madhështore", për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 maj 2025.
Në këtë kuadër, ju kërkojmë të çregjistroni emrin e partisë sonë nga ky koalicion.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj.
Me respekt,
Kryetari i partisë
Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, Vasil Sterjovski. Vetë kreu i partisë ka bërë me dije se shkak për largimin nga koalicioni është bërë fakti se nuk është plotësuar kërkesa e AMIE për të pasur një kandidat në listën e kandidatëve të Korçës. Ai gjithshtu ka bërë me dije se edhe kërkesa për të pasur një kandidat në listat e qarqeve të tjera, është refuzuar. Versus.al
Sot orët vendimtare për listat e kandidatëve, partitë politike mblidhen në selitë e tyre për detajet finale

Mesnatën e sotme mbyllet afati përfundimtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për dorëzimin e listave të kandidatëve në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Partitë kryesore politike e kanë lënë dorëzimin e listave për në orët e fundit, teksa të socialistët dhe demokratët do të mblidhen sot në selitë e tyre për të caktuar kandidatët përfundimtarë.
Rama mbledh kryesinë e PS në orën 19:00, ndërsa para kësaj mbledhje do të zhvillojë një takim me drejtuesin politik për diasporën, ministrin Taulant Balla për emra potencialë kandidatë nga emigrantët shqiptarë.
Më herët kreu i qeverisë, ka deklaruar se deputetët të cilët kanë të paktën një mandat do të jenë në terren për të marrë vota dhe do të kandidojnë në listat e hapura. Përjashtim bëjnë këtu vetëm drejtuesit politikë në qarqe të cilët do jenë në listat e mbyllura. Nga ana tjetër nuk dihet ende nëse Rama do të kandidojë vetë si deputet.
Në kampin blu, Berisha mbledh kryesinë në orën 17:00 ndërsa në orën 19:00 Këshillin Kombëtar për përcaktimin e kandidatëve në lista, një pjesë prej të cilëve morën vota në primaret e zhvilluara në qarqe të ndryshme.
Vetë Berisha pritet të kandidojë si deputet në Tiranë në listën e mbyllur, ndërsa 8 vende të sigurta në lista ua ka premtuar aleatëve të koalicionit opozitar “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Prej këtyre mandateve, 4 i merr Partia e Lirisë, 1 PR e Mediut, 1 Vangjel Dule dhe nga një për Idrizin dhe Partinë e Agron Dukës. Ilir Meta ngulmoi që të kandidonte në listën e hapur, edhe pse në burg prej tetorit të vitit të kaluar.
Tjetër koalicion në këto zgjedhje është ai i Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit me emrin “Nisma Shqipëria Bëhet” dhe ai i Enkelejd Alibeajt dhe Dashamir Shehit. Versus.al







