AKTUALITET /

AGSH për vendimin e gjykatës ndaj publikimeve mediatike për Dionis Teqjan: Formë presioni!

AGSH ka reaguar për vendimin e gjykatës lidhur me publikimet mediatike për biznesmenin Dionis Teqja, duke theksuar rëndësinë e balancës mes mbrojtjes së reputacionit dhe lirisë së medias. Sipas saj, masat kufizuese ndaj publikimeve dhe kërkesat e larta për dëmshpërblim përbëjnë shqetësim për lirinë e shprehjes në vend.

Shkruar nga Versus
AGSH për vendimin e gjykatës ndaj publikimeve mediatike për
Dionis Teqja

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë për “sigurimin e padisë”, ndaj disa mediave dhe gazetarit Arsen Rusta që ka të bëjë me disa publikime mediatike për biznesmenin Dionis Teqja.

Në reagimin e saj, AGSH thekson se çdo qytetar ka të drejtën të kërkojë mbrojtje ligjore për reputacionin dhe dinjitetin e tij, ndërsa mediat kanë detyrimin të respektojnë standardet profesionale, të verifikojnë informacionin dhe të ushtrojnë gazetarinë në mënyrë etike.

Sipas asociacionit, duhet të ruhet një ekuilibër mes mbrojtjes së individit dhe garantimit të lirisë së shprehjes dhe informimit publik, në përputhje me Kushtetutën dhe standardet europiane të medias.

Reagimi i AGSH

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë po ndjek me vëmendje vendimin për “sigurimin e padisë” të marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, lidhur me disa publikime mediatike që kanë të bëjnë me biznesmenin Dionis Teqja.

AGSH vlerëson se çdo individ ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës për mbrojtjen e reputacionit dhe dinjitetit të tij, ashtu siç mediat dhe gazetarët kanë detyrimin të raportojnë në mënyrë profesionale, të verifikojnë informacionin dhe të respektojnë standardet etike të gazetarisë.

Nga ana tjetër, konsiderojmë se në raste të tilla është e rëndësishme që të ruhet një ekuilibër i kujdesshëm mes mbrojtjes së reputacionit dhe garantimit të lirisë së shprehjes dhe informimit publik, në përputhje me Kushtetutën dhe standardet europiane për lirinë e medias.

AGSH shpreh shqetësimin se masat që lidhen me heqjen ose bllokimin e publikimeve mediatike duhet të trajtohen me kujdes të veçantë, duke pasur parasysh ndikimin që mund të kenë mbi ushtrimin e profesionit të gazetarit dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.

Ne inkurajojmë të gjitha palët që këtë proces ta trajtojnë me profesionalizëm, qetësi dhe respekt për institucionet, ndërsa organet gjyqësore të vijojnë të garantojnë një proces të drejtë dhe në përputhje me standardet demokratike dhe jurisprudencën europiane mbi lirinë e medias.

Në çdo rast shifrat marramendëse që kërkohen si dëmshpërblim ndaj gazetarërve dhe mediave që arrijnë deri në 500.000 Euro ndaj gazetarit Arsen Rusta janë tërësisht abuzive dhe formë presioni ndaj tij dhe të tjerëve.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë do të vijojë ta ndjekë këtë çështje me vëmendje, në mbështetje të standardeve profesionale, sigurisë juridike dhe lirisë së medias në vend.

Por për çfarë bëhet fjalë në padi?

Një vendim i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë ka ngjallur debat në media, pasi raportohet se disa redaksi kanë marrë një kërkesë për të hequr publikimet që lidhen me biznesmenin Dionis Teqja.

Sipas informacionit të publikuar, kërkesa është e lidhur me një masë sigurimi padie dhe është firmosur nga gjyqtari Flamur Kapllani. Në të kërkohet largimi i materialeve mediatike që përmendin çështjen e biznesmenit.

Çështja lidhet me një proces gjyqësor ku Dionis Teqja është paditur nga ortakët e tij, ndërsa seancat janë shtyrë disa herë për mungesë të tij. Në këtë kuadër, gjykata ka afishuar edhe thirrjen e tij në banesën e deklaruar.

Megjithatë, vendimi për të kërkuar fshirjen e publikimeve ka ngritur shqetësime në disa media dhe organizata të gazetarëve, të cilat e shohin si një ndërhyrje të mundshme në lirinë e shprehjes dhe të drejtën e informimit publik.

Nga ana tjetër, theksohet se biznesmeni nuk është shpallur në kërkim nga autoritetet, por çështja e tij vijon të jetë objekt gjykimi./ Versus.al

Poll