
Një 62-vjeçar ka ndërruar jetë pas një përplasje që ndodhi mesditën e sotme në aksin rrugor Korçë-Bilisht.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet ka përplasur një këmbësor në fshatin Tren, në Bashkinë Devoll.
I plagosuri është transportuar menjëherë drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore, por fatkeqësisht nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Policia njoftoi se ka nisur hetimet, duke arrestuar drejtuesin e mjetit.
“Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin F. P., 47 vjeç, banues në fshatin Sul, Devoll, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen. Sot rreth orës 11:45, në aksin rrugor “Korçë-Bilisht”, në afërsi të kryqëzimit të fshatit Tren, automjeti me drejtues shtetasin F. P., ka përplasur shtetasin L. Sh., rreth 62 vjeç, i cili sapo kishte zbritur nga një automjet tjetër. Si pasojë e aksidentit, 62-vjeçari ka marrë dëmtime trupore dhe ka ndërruar jetë më pas në spitalin e Korçës”, bëri me dije policia vendore.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme. Policia ndodhet në vendngjarje dhe po bën zbardhjen e rrethanave.Versus.al

