Mbretëria e Bashkuar do të nisë përdorimin e inteligjencës artificiale për të vlerësuar moshën e azilkërkuesve, me synimin për të identifikuar të rriturit që paraqiten si të mitur gjatë procedurave të azilit. Sipas autoriteteve britanike, teknologjia do të analizojë fotografitë e marra gjatë regjistrimit të migrantëve dhe pritet të hyjë në përdorim gradualisht nga viti i ardhshëm, pas testimeve të mëtejshme.
Ministria e Brendshme britanike ka bërë të ditur se sistemi është zhvilluar në kuadër të një kontrate me vlerë 322 mijë paund dhe se rezultatet paraprake kanë treguar saktësi premtuese. Qeveria argumenton se kjo teknologji do të ndihmojë në parandalimin e abuzimeve me procedurat e azilit dhe në mbrojtjen e burimeve të destinuara për fëmijët që kanë realisht nevojë për mbështetje.
Megjithatë, nisma ka ngjallur kritika nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe profesionistët e shërbimeve sociale, të cilët shprehin shqetësime për besueshmërinë dhe ndikimin e saj te migrantët e mitur. Testimet në terren pritet të zhvillohen vitin e ardhshëm në qendrën e përpunimit Western Jet Foil në Dover, ndërsa sistemi i plotë mund të vihet në funksion në mesin e vitit 2027. Versus.al

