
Durrës- Gjykata ka caktuar sot masat e sigurisë për 8 prej 10 personave të arrestuar në total lidhur me arratisjen e të paraburgosurit Altin Ndoci më 13 janar teksa merrte mjekim në spitalin rajonal.
Në burg kanë mbetur ish-zv.drejtori i burgut të Durrësit Dezdemon Pazaj dhe 2 prej efektivëve që e shoqëruan Ndocin ditën e arratisjes, Sali Ferollari dhe Fation Baçi. Ndërsa u liruan 3 efektivët e tjerë të grupit të shoqërimit Aranit Çela, Preng Marvataj dhe Dorjan Saraçi, për të cilët caktoi masën detyrim paraqitjeje.
Masa “arrest shtëpie” u caktua për Aulon Çukon, kryeinfermierin e burgut i cili firmosi me urgjencë rekomandimin për dërgimin e Ndocit për vizitë në spital si dhe për Violeta Ukën, punonjësen e policisë së burgjeve e cila nuk njoftoi sallën operative për transportimin e Ndocit në spital.
MASAT E SIGURISË
Dezdemon Pazaj- Zv.shefi i Policisë së Burgut të Durrësit (Arrest me burg)
Fation Baçi- Inspektor (Arrest me burg)
Sali Ferollari- Inspektor (Arrest me burg)
Aulon Çuko- kryeinfermieri i Burgut të Durrësit (Arrest shtëpie)
Violeta Uka- Komisare (Arrest shtëpie)
Dorian Saraçi- Kryeinspektor (Detyrim paraqitje)
Preng Marvataj- Inspektor (Detyrim paraqitje)
Aranit Çela - Kryeinspektor (Detyrim paraqitje)
Dje u arrestua edhe ish-drejtori i Burgut të Durrësit, Indrit Cerloj ndërsa u vendos arrest shtëpie për mjeken e burgut, Ylfete Sema, e cila kishte rekomanduar vizitën e Ndocit në spital. Versus.al

