AKTUALITET /

Arrestohet i shumëkërkuari Jani Aliaj, vrasësi i Elton Çiços në ish-bllok. Historia e përplasjes së bandave të Tepelenës

Shkruar nga Versus
Arrestohet i shumëkërkuari Jani Aliaj, vrasësi i Elton
Jani Aliaj duke u futur ne lokalin ku do te vriste, Elton Çiçon

Arrestohet në Greqi, i shumëkërkuari Jani Aliaj, i dënuar me burg për jetë për ekzekutimin e Elton Çiços në një lokal në zonën e ish-bllokut në Tiranë.

Lajmin e ka bërë të ditur policia.

‘Operacion i përbashkët ndërkombëtar për kapjen e të kërkuarve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohet operacioni i koduar ‘IN TIME’ në bashkëpunim me Policinë Greke.

Në Athinë kapet dhe vihet në pranga i shumëkërkuari Jani Alia, 47 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm.

Departamenti i Policisë Kriminale, pas punës gjurmuese dhe sigurimit të informacionit, identifikoi vendndodhjen e Jani Alia, i cili fshihej në Athinë. Falë bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke, Policia Greke finalizoi operacionin ‘IN TIME’, duke arrestuar këtë shtetas.

Interpol Tirana, në koordinim me Interpol Athinën, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të çuar përpara bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim’, bën të ditur policia.

Mbi Aliajn dhe grupin e tij kriminal rëndojnë akuzat për shumë vrasje, por më e bujshmja ishte ajo 1 Majit 2016; ekzekutimi i një tjetër eksponenti të fuqishëm të krimit Elton Çiço.

Arrestohet i shumëkërkuari Jani Aliaj, vrasësi i Elton

Vrasja në fjalë tronditi opinionin në atë kohë, sepse ndodhi në një ambient publik mjaft të frekuentuar nga qytetarët, në zonën e ish-bllokut, teksa Elton Çiço ishte duke pirë kafe me një oficer policie, një doktor dhe 1 gazetar të kronikës së zezë. Pavarësisht nga njerëzit e shumtë, prania e oficerit të policisë dhe gazetarit, Jani Aliaj është futur në lokal dhe ka qëlluar drejt Çiços me gjakftohtësi. Ai vdiq në vend, me dy plumba në kokë.

Historia e konfliktit mes dy grupeve kriminale me bazë në Tepelenë është shumë më e hershme dhe ka lënë pas, shumë viktima.

I dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së parë në Tiranë, për veprën penale ‘Vrasje me parëmendim’, pasi vrau me thikë djalin e shtetasit Shyqo Ballazhiu, me origjinë nga Tepelena.

Në vitin 2000 Jani Alia vret me thikë E. Ballazhiun, në fshatin me emrin Zhabakin. E. Ballazhiu, 20 vjeç, ishte shok fëmijërie me Elton Çiçon. Ata ishin rritur bashkë në Tepelenë, ndërsa Çiço ishte interesuar shumë për të mësuar se kush ishte vrasësi i shokut të tij.

Në momentin që ka marrë vesh se kush ishte vrasësi i shokut të tij, Elton Çiço i ka dërguar fjalë në burg Alisë, duke i thënë se do merrtë hak për këtë vrasje.

Jani Alia, në atë kohë 23 vjeç, ishte arrestuar nga policia greke dhe mbahej në paraburgim. Rreth 3 vite më vonë edhe Elton Çiço arrestohet nga policia greke, dhe burgoset në burgun e Koridhalos.

Ironia e fatit bën që në të njëjtin burg të jetë edhe Jani Alia, i dënuar me 18 vjet për vrasje, ndërsa Çiço u dënua me 5 vite për drogë.

Aty ndodhi edhe përplasja e parë fizike mes tyre, pasi Çiço plagosi me thikë Alinë, gjatë kohës që kishin dalë në ajrim.

Disa javë pas ngjarjes, Jani Alia del nga burgu me leje, pasi kishte kaluar 10 vite në qeli, por nuk kthehet më dhe shpallet në kërkim nga policia.

Pak kohë më pas del edhe Elton Çiço, pasi përfundon dënimin. Pas këtij momenti fillojnë edhe atentatet.

PËRPLASJET

Në 10 janar 2016 Elton Çiço tenton të ekzekutojë Alian në Tiranë, te rruga e Kavajës.

Çiço qëllon disa herë me armë zjarri në drejtim të tij, por nga plumbat plagoset vetëm një person i rastësishëm me inicialet A.Q.

Pas hetimeve të policisë u zbulua se objektivi kishte qenë Jani Alia, i cili ishte në makinë tip ‘BMË X6’ me targë AA 727.., të cilën më pas e ka zhdukur, megjithëse ky mjet aktualisht është i bllokuar nga policia.

I vendosur për hakmarrje, Çiço organizoi edhe një atentat tjetër, këtë herë në Gjirokastër.

Në 25 prill 2016, Jani Alia po lëvizte me makinën e një mikut të tij, kur Çiço hapi zjarr ndaj tij.

Alia u plagos lehtë në dorë, por ia doli të mbijetonte edhe këtë herë.

Policia nuk mundi të provonte autorësinë e Elton Çiços, ndërsa vetë Jani Alia deklaroi se ishte vetëm një ngatërresë.

Prej këtij momenti Jani Alia zhvendoset në Tiranë dhe kërkon ndihmën e Renato Milloshit, me të cilin kishte miqësi të hershme.

Vetëm 1 javë më vonë, më 1 maj 2016 në një lokal në Bllok ekzekutohet me 2 plumba Elton Çiço. Për ngjarjen policia shpalli si autorë Jani Aliajn dhe Renato Milloshin.

Pas vrasjes së Elton Çiços, miqtë e tij, mes tyre Andi Mustafaraj premtuan hakmarrje.

Vetëm 4 muaj pas vrasjes së Çiços, dhe pak kohë pas mesazhit të Mustafarajt, më 21 gusht të  vitit 2016, rreth orës 15:35 në një lokal në afërsi të ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë iu bë atentat me armë Nelgert Patës, i cili njihet si mik dhe bashkëpunëtor i Jani Aliajt.

Për shkak të disa bimëve dekorative që kishte lokali, Nelgert Pata i shpëtoi fushëpamjes së atentatorit dhe mbeti i plagosur lehtë në vesh. Menjëherë pas ngjarjes Pata u largua në drejtim të paditur.

E njëjta skemë është ndjekur edhe në atentatin me armë ndaj Andi Mustafarajt me 28 tetor në një lokal në zonën e Ish-ekspozitës.

Ai është mbajtur në vëzhgim derisa ka zbritur nga makina dhe është ulur në kafe, ku  u qëllua 3 herë me armë duke mbetur i plagosur.

Vrasja e tretë është ajo e 34-vjeçarit Nelgert Pata, mik i Jani Aliajt dhe rival i grupit të Elton Çiços. Pata u ekzekutua në makinën e tij dhe u gjet vetëm pak minuta më vonë nga policia.

Po ashtu në periferi të Fierit policia gjeti një makinë të djegur që dyshohet se ishte e autorëve, raportuan mediat në atë kohë.

 

Poll