
Pas shembjes së aksit Librazhd–Përrenjas, e cila kishte bllokuar kalimin për rreth 10 ditë, Rruga e Re Alternative do të hapet për trafikun nesër në orën 12:00, njofton Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Kalimi do të jetë i mundur për të gjitha mjetet, përfshirë makina të vogla, mjete transporti të qytetarëve dhe kamionë. Segmenti i ri, i gjatë 1.3 km, është ndërtuar përkrah hekurudhës, në shtratin e lumit Shkumbin, duke ofruar një zgjidhje emergjente për rikthimin e qarkullimit normal.
Ndërkohë, në zonën e quajtur “Arra e Gurrës”, ku lëvizjet e terrenit shkaktuan shembjen dhe bllokimin e rrugës, ARRSH ka nisur punimet me intensitet të lartë për stabilizimin e terrenit. Autoritetet paralajmërojnë se rikthimi i plotë i aksit mund të kërkojë disa muaj punë, në varësi të procedurave dhe standardeve të ndërtimit.
Shembja e aksit kombëtar ndodhi më 21 shkurt, pranë fshatit Dragostunjë, ku rrëshqitja e dherave rrezikoi shembjen totale të rrugës dhe shkaktoi ndalimin e qarkullimit. Hapja e rrugës alternative synon të lehtësojë qarkullimin dhe të reduktojë pengesat për qytetarët dhe transportin e mallrave./Versus.al

