
Tiranë- Gjykata e Lartë shqyrton sot kërkesën e bërë nga kryedemokrati Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi për shuarjen e masave të sigurisë “arrest shtëpie” të caktuar nga GJKKO ndaj tyre që prej vitit të kaluar.
Ish-kryeministri Sali Berisha u la në arrest shtëpie në dhjetor të vitit të kaluar pasi refuzoi të paraqitej në SPAK për të dhënë përgjigjie mbi hetimin e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, çështje për të cilën kreu i PD akuzohet për korrupsion pasiv.
Ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi u arrestua më 21 tetor në Rinas, për t’u liruar një muaj më pas teksa gjykata i caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash” sa i takon procedimit penal të nisur për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Pesë ditë më parë u shty seanca në GJKKO për ish-kryemnistrin. Avokati i tij Genc Gjokutaj u shpreh se po krijoheshin pengesa artificiale në procesin e hetimit, duke deklaruar se gjykata kishte kërkuar pagesë për vënien në dispozicion të akteve hetimore. Versus.al







