Tiranë- Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka njoftuar mbylljen e hetimeve për dosjen hetimore të njohur si “afera e privatizimit të ish-kompleksit sportive Partizani” për të cilën pak ditë më parë u mor i pandehur ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi të cilët akuzohen të dy për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim.
Avokatët e palëve të akuzuara, do të paraqiten të mërkurën në SPAK për të firmosur aktet përfundimtare hetimore të SPAK ndërsa më pas çështja do t’i kalojë Gjykatës së Posaçme për gjykim.
Më 11 shtator Sali Berisha u mor zyrtarisht nën akuzë nga SPAK për korrupsion zgjedhor në veprimet për privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani nën dyshimin se ka ndryshuar VKM-të me qëllim që të favorizonte dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi i cili u mor gjithashtu nën akuzë për veprën penale “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash” pasi në hetimet e kryera u gjetën pasuri të padeklaruara të cilat nuk i justifikonte me të ardhurat e tij.
Padia për shkeljet e dyshuara të bëra në privatizimin e ish-kompleksit, u dorëzua në SPAK nga Taulant Balla në 2020-ën asokohe kreu i grupit parlamentar të PS. Të pandehur për aferën janë marrë edhe ndërtuesi Fatmir Bektashi nën akuzat për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”, Xhimi Begeja për “pastrim parash”, Andia Pustina për “pastrim parash”.
Ish-kryeministri Sali Berisha i cili mbahet nën arrest shtëpiak që prej dhjetorit të vitit të kaluar, i cilësoi akuza të tilla si të urdhëruara politikisht nga kryeministri Edi Rama i cili sipas tij kontrollon Prokurorinë e Posaçme dhe po e përdor për dëmtuar opozitën. Versus.al







