
Deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviç ka shkaktuar reagime të ashpra jo vetëm në Kosovë e Shqipëri. Edhe Brukseli ka kërkuar përmbajtje, ndërsa komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka shkuar më tej duke kërkuar që qeveria serbe të marrë masa.
Kos tha se deklaratat e ministres serbe janë të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.
Po ashtu komisonerja tha se është e tronditur që në ditët e sotme ende duhet të dëgjohen deklarata të tilla.
“Unë jam personalisht e tronditur se kjo fare duhet të thuhet në këtë situatë.
Deklarata të tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vlerat dhe dinjitetin njerëzor, pajtimin e nevojshëm, llogaridhënien dhe raportet e mira ndërfqinjësore mbi të cilat themelet është ndërtuar BE-ja dhe pa të cilat procesi i anëtarësimit nuk mund të ndodhë”, u shpreh Kos.
Më tej Kos është shprehur se dëshiron të besojë se deklaratat e ministres serbe janë një qëndrim personal dhe jo një pozicion zyrtar i Qeverisë serbe.
“Unë vetëm mund të supozoj se këto janë qëndrime të një ministreje dhe nuk paraqesin qëndrimin e qeverisë së Serbisë. Presim nga liderët politikë që të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe të kontribuojnë për ndërtimin e besimit, pajtimit dhe stabilitetit në rajon”, deklaroi Marta Kos./Versus.al

