
Safet dhe Behar Bajri kanë depozituar në Prokurori një kallëzim penal ndaj deputetes Marjana Koçeku, duke kërkuar hetim të plotë mbi deklaratat e saj publike se ajo dhe familja e saj janë kërcënuar nga anëtarë të familjes Bajri.
Në kallëzimin e dorëzuar, ata i kërkojnë Prokurorisë të regjistrojë procedimin penal dhe të hetojë vërtetësinë e deklaratave, si dhe përgjegjësinë penale të deputetes, përfshirë arsyet dhe personat e mundshëm që mund ta kenë shtyrë të bëjë këto deklarime.
Po ashtu, kallëzuesit kërkojnë që organet e drejtësisë të sigurojnë dhe të ruajnë menjëherë postimin origjinal në rrjete sociale dhe të dhënat teknike të tij, përpara çdo fshirjeje të mundshme, si dhe të administrojnë të gjitha provat përkatëse.
Në kërkesën e tyre, ata kërkojnë gjithashtu që të njoftohen për veprimet procedurale që do të ndërmarrë Prokuroria në lidhje me rastin.
“I kërkoj Prokurorisë:
Të regjistrojë këtë kallëzim dhe të fillojë procedimin penal;
Të hetojë vërtetësinë e deklaratave dhe përgjegjësinë penale të deputetes Marjana Koçeku si dhe arsyet se përse ajo e ka bërë një deklaratë të tillë dhe cilët persona e kanë shtyrë;
Të sigurojë dhe ruajë menjëherë postimin origjinal në rrjete sociale dhe të dhënat e tij teknike, përpara fshirjes;
Të administrojë provat e sipërpërmendura dhe të më njoftojë për veprimet e kryera, sipas të drejtave të kallëzuesit”,- thuhet ndër të tjera në kallëzim", thuhet ndër të tjera në kallëzimin ndaj deputetes Koçeku.
Ky kallëzim vjen pasi deputetja Koçeku, pak ditë pas largimit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe shpalljes si deputete e pavarur, deklaroi publikisht se ajo dhe familja e saj janë kërcënuar me jetë.
Në një reagim në rrjetet sociale, ajo pretendoi se kërcënimet vijnë nga “Bajrat e Shkodrës”, ndërsa paralajmëroi ashpër për pasojat nëse preket familja e saj.Versus.al

