AKTUALITET /

Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë, Shoqata e të Verbërve në protestë: Duam të jetojmë një jetë me dinjitet dhe të pavarur!

Në deklaratën e tyre, shoqata thekson se kjo mungesë përkujdesjeje ka çuar në përjashtimin e shumë personave të verbër nga mundësitë e barabarta për arsimim, punësim dhe një jetë të pavarur.

Shkruar nga Versus

Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë, Shoqata e të

Shoqata e të Verbërve ka zhvilluar një protestë në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, duke ngritur zërin për mungesën e mbështetjes institucionale që, sipas tyre, zgjat prej më shumë se një dekade.

Në deklaratën e tyre, shoqata thekson se kjo mungesë përkujdesjeje ka çuar në përjashtimin e shumë personave të verbër nga mundësitë e barabarta për arsimim, punësim dhe një jetë të pavarur.

Përmes një kërkese drejtuar qeverisë, Shoqata e të Verbërve kërkon rikthimin e shërbimeve publike të dedikuara për këtë komunitet, rritjen e asistencave financiare të pandryshuara që prej vitit 2009 si dhe mbështetje konkrete për integrimin e personave të verbër në tregun e punës, me pagë minimale të garantuar.

Ndërsa Jonid Ferhati, president i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, i pranishëm në protestë ka ngritur alarmin për mungesën e mbështetjes institucionale ndaj qytetarëve të verbër, sidomos ndaj atyre që janë të papunë.

Në fjalën e tij të mbajtur në protestë, ai theksoi se përveç përjashtimit nga skemat sociale familjare, mungojnë plotësisht edhe shërbimet që do t'u mundësonin të verbërve një jetë të pavarur dhe me dinjitet.

''Fatkeqësisht, thuajse çdo qytetar i verbër që nuk është i punësuar nuk përfiton nga skema e asistencave sociale për nevojat familjare të tij. Po ashtu, një problem tjetër janë shërbimet për të jetuar një jetë me dinjitet në mënyrë të pavarur. Fatkeqësisht që nga viti 2014 do duhej që shërbimet të merrnin një tjetër stendat, një standard evropian pasi atë vit përfundoi së ndërtuari qendra kombëtare e rehabilitimit të të verbërve e cila është më e madhja në rajon, por fatkeqësisht si për ironi të fatit, atë vit shërbimet që ishin ngritur me aq mund e sakrificë u ndërprenë.

Në 2016 u bë ligji për decentralizimin e shërbimeve dhe ky ligj solli fatkeqësi sepse nga ajo kohë e deri tani të verbrit nuk kanë përfituar asnjë shërbim social për të cilën kanë nevojë imediate.'' është shprehur presidenti i Shoqatës së të Verbërve./Versus.al

 

 

 

 

Poll