AKTUALITET /

Djegia e të resë nga burri i saj në Korçë, reagon Koçiu: U sulmua në mënyrë brutale nga një frikacak

Ministrja kërkoi arrestim dhe ndëshkim maksimal për 45 vjeçarin që i vuri flakën gruas së tij.

Shkruar nga Versus
Djegia e të resë nga burri i saj në Korçë, reagon
Melisa dhe Bledar Trëndafili, ministrja Albana Koçiu

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e sotme në Korçë ku 45 vjeçari Bledar Trëndafili i vuri flakën bashkëshortes së tij Melisa Trëndafili me të cilën ishte në proces divorci.

Koçiu tha se po bëhet maksimumi për t’i ofruar një trajtim sa më të specializuar të resë e cila ka pësuar djegie të nivelit të lartë dhe aktualisht gjendet në spitalin e Traumës në Tiranë. Duke e cilësuar autorin si “frikacak”, ministrja kërkoi që autoritetet ta arrestojnë dhe t’i japin ndëshkim maksimal.

“Mjeket e shërbimit të Djegie-Plastikës në QSUNT po bëjnë më të mirën e mundur për Melisën, vajzën, nënën e dy femijëve të vegjël nga Korça, e cila u sulmua sot në mënyrë brutale nga një “burrë” frikacak, që duhet të ishte krahë saj për ta mbështetur në rritjen e edukimin e fëmijëve, por që sot në mënyrë tinzare vendosi të kthehet në agresorin e saj, nënës së fëmijëve të tij.

E teksa inkurajoj institucionet përgjegjëse për ndalimin dhe dënimin maksimal të tij, i jam pranë me zemër familjes së Melisës. Askush nuk duhet të përjetojë një dhimbje të tillë.

Do të qëndrojmë kundër dhunës dhe mbështesim të gjithë ato gra që bëhen viktima të këtyre “burrave” që meritojnë ndeshkim maksimal. Kjo është një betejë që askush nuk e fiton dot vetëm, ndaj bashkë duhet të punojmë shumë e të bëjmë të pamundurën, të parandalojmë ngjarje si kjo e sotmja.”, shkruan ajo.

Kur kanë kaluar më shumë se 5 orë nga ngjarja e rëndë, autori ende nuk është kapur nga forcat e policisë. 35 vjeçari e priti bashkëshorten e tij para hyrjes në banesë pasi ajo ishte kthyer nga puna dhe e spërkati me benzinë duke i dhënë flakën më pas. Dy fëmijët e vegjël të çiftit ishin brenda banesës. Pas aktit makabër, 45 vjeçari u arratis nga vendngjarja. Versus.al

Poll