Liljana Kalemi me siguri i kanë lëvizur kockat në varr sot, pas vendimit të dhënë nga Gjykata për Tire Alldërvishin e dënuar vetëm për mashtrim dhe “shoqet” e saj të shpallura të pafajshme. 55 vjeçarja Kalemi ndërroi jetë 4 vjet më parë, ditën e Krishtlindjeve, me 25 dhjetor të 2020. Mëngjesi e gjeti me frymën e fundit… Ishte dita e gjashtë pa ngrënë bukë e pa pirë ujë e shtruar në kati 2, dhoma 30, në spitalin “Shefqet Ndroqi”, pasi ishte diagnostikuar me Covid19.
Fati i saj i keq u bë tragjik, kur ‘mbeti’ në duart e Tire Alldërvishit, e cila në ditën e hallit i ka marrë familjes Kalemi jo pak, por plot 8 milion e 170 mijë lëkë të vjetra. Kaq kanë paguar për një “kore bukë” e “një pikë ujë” që Liljanës nuk i shkuan kurrë edhe pse lutej e përgjërohet derisa nuk pati më forcë të luftonte për jetën.
REAGIMI
Ani, vajza e Liljana Kalemit, këtë të premte të 27 dhjetorit e ka ditën më të keqe të jetës së saj. Edhe më e keqe se dita kur humbi nënën. Ajo nuk e dinte vendimin për Tire Alldërvishin dhe e mësoi vetëm kur u kontaktua nga “Versus.al” për të dhënë një koment lidhur me vendimin e “freskët” të Gjykatës.
“Jam 35 vjeç, dhe kjo është dita më e keqe e jetës sime. Është më e keqe edhe se dita që futa nënë time në dhé, edhe se e pardjeshmja kur nuk ikja dot nga varri i saj. Ky vendimin i gjykatës është zhgënjim i jashtëzakonshëm, por nuk kam ndërmend të ndaloj.”
Ani, ka zbuluar sot për “Versus.al” se ajo as që kishte informacion se sot më 27 dhjetor do të jepej vendimi, ajo nuk kishte asnjë njoftim për të qenë e pranishme si palë e dëmtuar.
“Isha para 3 ditësh në Gjykatë dhë më përcollën duke më thënë që nuk ka më gjyqe deri në fillim të janarit. Nuk e prisja këtë vendim kurrën e kurrës. Unë do të ngre edhe më shumë shtetin në këmbë. Janë bërë 3 seanca parlamentare për rastin e mamit tim, është ngritur Edi Rama në mbrojtje të nënës sime. Premtuan dënimin e merituar dhe ky është dënimi, ky?! Ky është zhgënjimi më i madh gjatë këtyre 35 viteve. Kam ngelur pa fjalë, ndjehem shumë e indinjuar” – tha Ani, në reagimin e saj të parë për mediat.
Më tej vajza e Liljana Kalemit ka saktësuar se në muajin që mami e saj ka qenë e shtruar në Sanatorium, megjithë ilaçet e blera nga familja, ata kanë harxhuar mbi 25 milion leke të vjetra, pra mesatarisht 1 milion lekë të vjetra në ditë.
“Nëna ime u vra, vdiq për një pikë ujë, për një kothere bukë. Nëna ime nuk vdiq e mashtruar, vdiq e dhunuar, vdiq e uritur, vdiq e etur. Tirja nuk mashtroi veçse mori lekët, por shkeli mbi jetën e saj duke i mbjellë vdekjen, Të dënohet Tirja vetëm për mashtrim është absurditet, është turp. Sot drejtësia më rivrau nënën, por nuk më vrasin dot mua. Jam betuar mbi varrin e saj që do të bëj drejtësi me çfarëdo çmimi e kosto që të ketë për jetën time. Unë nuk e fal jetën e gjakun e nënës sime. Unë nuk e kisha nënën tepër, do e kisha në shtëpi sot, do ishin duke pritur festat, do e kisha në krah edhe në përballimin e sëmundjes së tim eti me të cilën po luftoj tani” – tha për Versus.al vajza e Liljana Kalemit
DËNIMI
Këtë të premte Gjykata ka dënuar Tire Alldervishin vetëm për mashtrim, ndërsa pjesën tjetër të personave nën akuzë të pafajshëm. Alldervishit iu caktua dënim alternativ me shërbim prove me 2 vite. Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës në konkluzionet saj përfundimtare për skandalin “Tire” gjatë kohës së COVID 19, kishte kërkuar dënimin e Tire Alldervishit me 7 vite burgim për veprën penale, të "Mashtrimit" të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë dhe që ka sjelle pasoja të rënda.
Skandali "Tire" u publikua për herë të parë në emisionin investigativ “Stop” dhe nëpërmjet video-përgjimeve u zbulua se ajo duke u prezantuar si infermiere familjarëve të pacientëve që ishin të shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, merrte para në kërkim të shërbimit. Po ashtu Tire u filmua nga vajza e Liljana Kalemit, të cilës arriti t’i zhvaste rreth 8 milionë lekë, duke i premtuar se do kujdesej për nënën e saj që ishte me Covid-19.
MESAZHET
Emisioni investigativ “Stop” ka publikuar në vitin 2021 mesazhet dëshpëruese të pacientes së ndjerë, ku i kërkonte sanitares ushqim dhe ujë.
Në njërin prej tyre ajo i është përgjëruar Tires, duke iu drejtuar-“, të hënksha m****, hajde një sekondë”.
45 minuta më vonë, Tirja nuk ishte dukur dhe pacientja e kërkonte sërish me dëshpërim.
- “O Tire, hajde të hënksha m****. Ku je? Hajde”.
Më 12 dhjetor, në orën 09:30 të mëngjesit, pacientja që vuante edhe nga diabeti e hipertensioni, ende nuk kishte ngrënë mëngjes, duke iu lutur Tires për ushqim.
- “O Tire, po më dridhet trupi për bukë. Po më bie diabeti, hajde shpejt”.
Pas gjysmë ore, pacientja sërish e pangrënë, i përgjërohet sanitares Tire Alldërvishi.
- “Të thashë më jep çik bukë, më ike”.
Më 13 Dhjetor në drekë, sërish lutje për vaktin e radhës.
- “Kur do të ha bukë. S’ma bërë insulinën, të lutem hajde pak. O Tire hajde pak të lutem”.
Pesë ditë më pas, më 15 dhjetor në mëngjes, e ndjera i drejtohej sërish asaj që e paguante për t’i dhënë një copë bukë.
- “Pse më tradhtove? Jam keq. Më kthe përgjigje”.
- “Të du shumë, hajde pak. Hajde më jep pak ujë. A je në punë? Hajde më vrit me duart tuaja dhe ik””, shkruante e ndjera në një tjetër mesazh.
Mëngjesin e 25 dhjetorit të 2020 Liljana Kalemi ka mbyllur përgjithmonë sytë. Ishte vetëm 55 vjeçe.../Versus.al









