Një grup i organizuar kriminal që shpërndante kokainë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar është dënuar me mbi 65 vite burg pas një hetimi të thelluar nga Policia Metropolitane dhe Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA).
Një hetim i përbashkët mes Policisë Metropolitane dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit ka çuar në dënimin e një grupi të organizuar kriminal për rolin e tyre në shpërndarjen e kokainës në Londër dhe në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Hetimi zbuloi se Redon Bushi, 32 vjeç (lindur më 27.04.1993), banues në Cherry Crescent, Brentford, kishte rolin udhëheqës në këtë rrjet kriminal për disa vite, duke bashkëpunuar me disa importues dhe korrierë.
Ai pranoi fajësinë në Gjykatën e Kurorës në Kingston-upon-Thames më 10 korrik 2024 për:
dy akuza për komplot për shpërndarje të lëndëve narkotike të klasit A,
komplot për transferim pasurie kriminale,
posedim pasurie kriminale.
Më 9 korrik 2025, ai u dënua me një total prej 24 vjet e 10 muaj burg.
Shërbimet e mesazheve të enkriptuara EncroChat dhe Signal zbuluan se Bushi kishte komplotuar për të shpërndarë të paktën 832 kg kokainë, me një vlerë në rrugë deri në 81.640.000 £, në Londër dhe në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Pas zbulimit të këtyre mesazheve, u zhvillua një operacion i synuar nga detektivët e Met që punuan për të shkatërruar rrjetin kriminal.
Hetimi
Detektivët zbuluan se Bushi përdorte EncroChat me pseudonimin “Sealvermouth”, pasi platforma ishte dekoduar nga agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit me mbështetjen e NCA.
Hetimi tregoi se ai merrte masa të forta për të mbrojtur rrjetin e tij kriminal. Korrierët e tij merrnin vetëm kodet postare, orarin dhe një përshkrim të përgjithshëm të personave që duhej të takonin.
Megjithatë, përpjekjet e tij dështuan falë vendosmërisë së oficerëve të Met, të cilët shqyrtuan çdo pajisje, bisedë dhe pamje të mundshme për të zbuluar mënyrën e funksionimit të rrjetit.
Në qershor 2020, ata ndaluan një nga automjetet e korrierit të Bushit, Ahmad Jabarkhill, dhe zbuluan brenda gati 700,000 paund.
Përmes metodave të fshehta dhe informacioneve të inteligjencës, policia identifikoi edhe tre korrierë të tjerë të Bushit – Arline Sida, Luke Ferguson dhe Kelvin Hoxha – duke mbledhur prova për përmasën e këtij rrjeti.
U zbuluan gjithashtu dokumente identiteti false, një furgon me vend fshehjeje të sofistikuar dhe një kamerë sigurie për mbikëqyrje në distancë të vendit ku ruheshin drogat.
Në gusht 2023, Sida dhe Hoxha u arrestuan në Brentford dhe iu sekuestruan gjashtë kilogramë kokainë.
Më pas, Luke Ferguson u arrestua në një "shtëpi të sigurt" në Brentford, ku iu gjetën 72 kg kokainë, me vlerë të përafërt në treg prej 6.24 milionë paund.
Pas arrestimit të bashkëpunëtorëve të tij, Bushi tentoi të fshihej duke qëndruar nëpër hotele të ndryshme, duke blerë një telefon të ri, rroba dhe duke mbajtur mbi 3,000 paund para cash. Ai urdhëronte të tjerët të kontrollonin kamerat për të zbuluar nëse kishte prani policore në vendndodhje të caktuara.
Ai u arrestua në Reading, disa ditë më pas.
Të dënuarit e tjerë:
Ahmad Jabarkhill, 32 vjeç (01.01.1993), pranoi fajësinë për posedim pasurie kriminale në Gjykatën e Isleworth më 22 korrik 2020 dhe u dënua me 2 vjet e 3 muaj burg.
Arline Sida, 23 vjeç (16.02.2002), nga London Road West, Amersham, pranoi fajësinë për komplot për shpërndarje droge të klasit A më 17 janar 2024 dhe u dënua me 12 vjet e 9 muaj burg më 9 korrik 2025.
Kelvin Hoxha, 23 vjeç (15.04.2002), nga Field Lane, Brentford, pranoi fajësinë për komplot për shpërndarje droge të klasit A dhe për drejtim automjeti pa patentë më 26 tetor 2024 dhe u dënua me 11 vjet e 8 muaj burg më 9 korrik 2025.
Luke Ferguson, 32 vjeç (14.04.1993), nga Becklow Road, Shepherd’s Bush, pranoi fajësinë për komplot për shpërndarje droge të klasit A më 21 nëntor 2024 dhe u dënua me 14 vjet e 5 muaj burg më 9 korrik 2025./Versus.al







