AKTUALITET /

Vdekja e 27-vjeçarit, ikën komandanti policor në Lipjan. Kërkohen dorëheqje të tjera

Megjithatë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile e kanë konsideruar dorëheqjen si të pamjaftueshme dhe kanë kërkuar që përgjegjësia të shtrihet më lart në zinxhirin komandues të policisë.

Shkruar nga Versus

Vdekja e 27-vjeçarit, ikën komandanti policor në Lipjan.

Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Lipjan, ku 27-vjeçari Agon Zejnullahu humbi jetën pak çaste pas arrestimit nga Policia e Kosovës, kanë nisur edhe ndryshimet e para në strukturën komanduese të policisë në këtë komunë.

Shefi i Stacionit Policor të Lipjanit, Argjend Gashi, ka dhënë dorëheqjen, e cila është pranuar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. Ky akt është konsideruar një hap moral pas incidentit që ka shkaktuar zemërim të gjerë publik dhe protesta nga shoqëria civile.

Megjithatë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile e kanë konsideruar dorëheqjen si të pamjaftueshme dhe kanë kërkuar që përgjegjësia të shtrihet më lart në zinxhirin komandues të policisë.

Kenan Gashi, një nga zërat më kritikë, deklaroi:

“Do të ishte e ndershme dhe e përgjegjshme të japin dorëheqje drejtori rajonal i policisë për Prishtinën dhe drejtori i përgjithshëm. Ata janë përgjegjës për planifikim dhe menaxhim afatgjatë të strukturave policore.”

Sipas tij, rasti i Agon Zejnullahut tregon mungesë të theksuar të profesionalizmit dhe ndjeshmërisë njerëzore nga ana e zyrtarëve policorë, të cilët nuk i ofruan ndihmën e parë 27-vjeçarit që ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Shoqëria civile ka ngritur shqetësime për faktin që i riu ishte ende i prangosur edhe në momentet kur u transportua me autoambulancë.

“Mund të përdorim çfarëdo justifikimi, por mbi të gjitha Agoni ka vdekur në duart e policisë,” tha Gashi.

Pavarësisht tronditjes, qytetarët shprehin ende besim në institucionin e Policisë së Kosovës, por theksojnë nevojën për më shumë trajnime, standarde humane dhe investime në aftësimin e efektivëve, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten. /Versus.al

Poll