Gjykata e Tiranës ka lënë në burg organizatorin e dhunës ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, Dritan Nano si dhe një prej dhunuesit dhëndrin e këtij të fundit, Dorian Alia.
Gjykata ka lënë gjithashtu në arrest me burg dhe 3 dhunuesit e tjerë të avokatit Elton Kasaj, Drivald Alia, Romario Tabaku, të shpallur në kërkim.
Prokuroria e Tiranës ka zbutur akuzën ndaj të dyshuarve duke rikualifikuar veprën penale nga vrasje të funksionarëve publik e mbetur në tentativë në ‘plagosje e rëndë me dashje kryer në bashkëpunim dhe kundërshtim dhe goditja e gjyqtarit, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi i dhunuar 4 ditë më parë për shkak të detyrës, vijon të jetë e njëjtë.
Ai ndodhet ende në intubim në spitalin e Traumës, i stabilizuar por pa asnjë ndryshim dhe po monitorohet intensivisht nga stafi mjekësor në reanimacionin e Traumës.
Avokati u dhunua më 29 maj teksa po linte në kopsht djalin e tij në zonën e ish-bllokut.
Një prej autorëve i vetëdorëzuar në Polici, Dorian Aliaj ka treguar se porositësi i sulmit është Dritan Nano dhe se shkuan ti jepnin një mesazh avokatit që të hiqte dorë nga padia e ngritur ndaj këtij të fundit.
Ndërsa Nano para hetuesve ka deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen.







