
Kryenegociatorja e Shqipërisë për integrimin europian, Majlinda Dhuka, ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në një moment kyç dhe shumë të rëndësishëm në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke theksuar se vendi ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve të negociatave.
“Shqipëria është sot në një moment kyç dhe të rëndësishëm për rrugën europiane. Vijmë nga çelja e negociatave dhe punës së vlerësueshme dhe shkojmë në një fazë intensive të përgatitjeve teknike, shoqërore e ekonomike të transformimit evropian për të mbyllur negociatat për anëtarësim, të njohur si kapituj, një nga një dhe njëherësh. Shqipëria ka hyrë në një fazë të re që është njëherësh më e avancuar dhe më kërkuese sa i përket vullnetit në reformim dhe aftësisë në transformim europian. Kjo është faza më e rëndësishme, ajo e të bërit një vend anëtar, një shtet me institucione europiane, drejtësi europiane, treg europian, vend me standarde europian”, tha Dhuka.
Ajo theksoi se kjo fazë kërkon bashkëpunim të ngushtë institucional dhe angazhim të vazhdueshëm në reforma.
“Kjo fazë inkurajon dhe teston vullnetin dhe aftësinë europiane të të gjitha institucioneve dhe ka imperativ bashkëpunimin e ngushtë. Kjo fazë vjen me nevojën për rolin emancipues të shoqërisë civile, përmes dijes dhe advokacisë, me nevojën për të bërë zërin e qytetarëve të dëgjohet. Ajo vjen me nevojën për të thithur dhe hapur sa më shumë dijen europiane, për të çuar zërin e Shqipërisë dhe lartësuar profilin e saj në shoqërinë europiane, mundësinë për bizneset për t’u afruar me tregun europian, me përgjegjësinë për të bërë biznes sipas rregullit dhe standardit europian, ndaj në plot raste do të kërkojë përmirësime”, tha Dhuka.
Sipas saj, procesi i mbylljes së kapitujve për anëtarësim në BE përfaqëson fazën më të rëndësishme të integrimit dhe kërkon përmirësim të vazhdueshëm të standardeve dhe institucioneve në vend./Versus.al

