
Kreu i SPAK, Altin Dumani ka folur mbi kërcënimet apo presionet e bëra ndaj prokurorëve të posaçëm duke nënvizuar se këto veprime ndaj tyre sa vijnë e rriten. Dumani tha se kërcënimet kanë qenë të metodave të ndryshme duke nisur nga telefonatat deri tek kërcënimi i familjarëve të prokurorëve.
Madje shtoi se ka patur edhe plane për realizimin e atentateve ndaj prokurorëve.
“Është pjesë e raportit faktikisht, raport i cili është publikuar edhe në faqen zyrtare të Prokurorisë së Posaçme. T’i ndajmë, kërcënimi nga krimi i organizuar, kërcënimet janë të shpeshta ndaj prokurorëve të posaçëm, përfshirë edhe drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme. Niveli i kërcënimeve sa vjen edhe rritet. Si kemi reaguar ndaj kërcënimeve? Ku ka pasur vend kemi referuar materiale për fillimin e ndjekjes penale, ku prokurorë kanë qenë kallëzues, qoftë edhe në rolin e të dëmtuarit nga vepra penale. Ka metoda të ndryshme për të transmetuar një kërcënim te prokurorët e Posaçëm. Krimi i organizuar është shumë i sofistikuar. Por mund të them këtë që janë kërcënime të formës përmes telefonatave apo duke kërcënuar familjarë të prokurorëve të posaçëm, apo vetë prokurorëve të posaçëm, kërcënime madje me jetë, deri plane në realizimin e atentateve ndaj prokurorëve”, u shpreh Dumani.
Për kërcënimet nga politika, Dumani tha se prokurorët kanë maturinë e duhur për t’u përballur me to, por shqetësim mbeten baltosjet ndaj tyre dhe ndaj familjarëve.
“Sa i takon kërcënimeve nga politika ju jeni vetë dëshmitarë, nga mëngjesi deri në darkë, prokurorët e posaçëm me emra, me emra të përveçëm, me emra familjarësh, kërcënohen, baltosen, fyhen dhe kjo është formë presioni. Pavarësisht se prokurorët e posaçëm kanë pjekurinë e duhur, maturinë e duhur për t’i përballuar këto kërcënime. Ne jemi mjaftueshëm të përgatitur për t’i përballuar këto kërcënime. Por ky është një realitet. Si drejtues i prokurorisë së Posaçme nuk mund të rri e thënë”, shtoi kreu i SPAK. Versus.al
