
Në lagjen e re të Rrogozhinës, u takuam me Ramazan Aliun, i cili pas më shumë se 30 vitesh rrezikon të mbetet pa banesë.
Në vitin 1994, për shtëpinë ku jeton aktualisht, Ramazan Aliu zhvilloi një proces gjyqësor për vërtetim fakti, ku në vendimin e gjykatës, ishte shënuar edhe e drejta për regjistrim hipotekor.
Megjithatë, Ramazani nuk ndërmori asnjë veprim për certifikimin e banesës, duke u mjaftuar vetëm me vendimin e vitit 1994. Në vitin 2022, vëllai i tij, Hasan Aliu, e paditi Ramazanin në gjykatë për përpjesëtim pasurie. Sipas Ramazanit, në një komunikim mes tyre, Hasani i ka deklaruar, se tashmë gjithçka ishte në emër të tij, pasi ishte pajisur me certifikata pronësie.
Emisioni “Stop” u interesua pranë ASHK-së për të kuptuar se si përfundoi banesa në emër të Hasan Aliut. Sipas ASHK-së, regjistrimi fillestar i pasurisë dhe hapja e kartelës janë bërë në vitin 2005 në emër të Gani Aliut, babait të familjes, bazuar në listat e trojeve.
“Në vitin 2022 më erdhi një fletëthirrje nga gjykata, për pjesëtim pasurie. Më kishte çuar vëllai. Ndërkohë që ASHK-ja ka nxjerrë këtë në emër të atij, shtëpinë, që është me vendim gjykate poshtë që është në emër të babait tim. Më tha në telefon që çdo gjë është në emër të tij. Kam bërë vërtetin pronësie në hipotike”, thotë Ramazan Aliu.
Pas ndarjes nga jeta të Gani Aliut, fëmijët, vëllezër e motra, kanë dhuruar pjesët e tyre takuese në favor të Hasan Aliut. Me Hasan Aliun nuk u arrit të sigurohej një komunikim, por vëllai tjetër, Izeti tha se shtëpia poshtë është vetëm e Hasanit. Sipas tij, atij, që ka mbajtur prindërit i takon edhe pjesa e tyre.
“Shtëpia lart është e babës dhe Ramazanit, shtëpia poshtë është vetëm e Hasanit. Kaq është e thjeshtë fare. Ai, që ka mbajt prindërit, i takon dhe pjesa e prindërve lart, Ramazani i ka mbajt prindërit, i takon dhe pjesa lart. Komunikim zero me Hasanin, vetëm se e ka çuar vëllain në gjyq dhe i kam shkëput marrëdhëniet me atë”, tha Izeti.

