AKTUALITET /

"Magjistratët në provë të vështirë", Metani: Jemi në trysni antikushtetuese për të ushtruar detyrën

Shkruar nga Versus
"Magjistratët në provë të vështirë",
Artur Metani

Përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, kanë qenë të pranishëm sot në një takim të organizuar nga projekti Matra i qeverisë holandeze. Kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani u shpreh gjatë fjalës së tij se magjistratët dhe institucionet e drejtësisë janë në një lloj presioni politik.

Duke marrë shkas nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama ndaj disa gjyqtarëve apo edhe akuzat e Berishës ndaj gjyqtares Irena Gjoka dhe kreut të SPAK, Metani tha se vetëpërmbajtja e tyre nuk duhet ngatërruar me dobësinë.

“Misioni ynë është i qartë, të gjyqësor të pavarur, por jo të pakontrollueshëm.  Por, testi i pavarësisë, i ndarjes se pushteteve dhe i shtetit te se drejtës, nuk është vetëm retorikë.  Ndryshe nga pushtetet apo institucionet e tjera, magjistratët dhe institucionet e pavarura të drejtësisë e kanë një lloj kufizimi, që vjen me detyrën për t’u treguar të përmbajtur, edhe kur sulmohen pa të drejtë. Mes zërave të fortë publikë, kjo i bën që të perceptohen si të dobët, por nuk është aspak ky rasti. Vetëpërmbajtja nuk duhet ngatërruar me dobësinë.

Pavarësisht deklaratave të aktorëve të ndryshëm publikë, magjistratët nuk duhet të harrojnë se reagimet publike nuk janë pjesë e funksionit të tyre. Por, vetëpërmbajtja po! Vetëpërmbajtja nuk është dobësi e asnjë lloj natyre, por respekt për lirinë e shprehjes në demokraci, është largësi kushtetuese nga natyra politike e pushteteve të tjera.

Deontologjia politike nuk duhet të diktojë sjelljen e magjistratëve. Në këtë rast, besoj se thelbi i shtetit ligjor dhe i vlerave evropiane është pikerisht mënyra sesi sillemi, edhe kur nuk biem dakord me vendimet e njëri-tjetrit”, u shpreh Metani. Versus.al

Poll