
Dy vëllezër, Halim dhe Jurgen Majla, janë arrestuar ditën e sotme nga policia, pasi shantazhonin vajza të reja me foto dhe video personale të tyre, në këmbim të parave.
Sipas njoftimit të policisë janë sekuestruar shuma parash dhe dy celularë, nëpërmjet të cilëve dyshohet se vëllezërit krijonin profile nëpër aplikacione virtuale, dhe pas komunikimeve me persona të ndryshëm, kryesisht të gjinisë femërore, siguronin materiale foto e video intime, dhe për mospublikimin e tyre kërkonin shuma të ndryshme parash.
Viktimë e këtij shantazhi ka rënë edhe një 14-vjeçare prej së cilës 18 dhe 20 vjeçari kanë marrë shuma parash.
Policia ka dokumentuar me prova ligjore dy raste të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprimet e mëtejshme hetimore.
Njoftimi i Policisë/ Tiranë
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Seksionin e Operacioneve Speciale në DVP Tiranë, operacioni policor i koduar "Cybersnare", ndjekur me metoda speciale të hetimit.
Arrestohen 2 vëllezër të cilët shantazhonin shtetase te ndryshme, për dhënie parash, për mospublikimin e videove dhe fotove personale të tyre, në rrjete sociale.
Dokumentohen me prova ligjore 2 raste të kësaj veprimtarie kriminale. Sekuestrohen shuma parash dhe 2 celularë.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Seksionin e Operacioneve Speciale në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e krimeve kibernetike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Cybersnare", ndjekur me metoda speciale të hetimit.
Gjtë operacionit u arrestuan shtetasit H. M., 20 vjeç, dhe J. M., 18 vjeç (vëllezër), banues në Tiranë.
Falë veprimeve hetimore profesionale nga specialistët e Sektorit të Hetimit të Krimeve Kibernetike, të kryera gjatë zhvillimit të këtij operacioni, është bërë dokumentimi i plotë ligjor i veprimtarisë kriminale të dy vëllezërve, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, krijonin profile nëpër aplikacione virtuale, dhe pas komunikimeve me persona të ndryshëm, kryesisht të gjinisë femërore, siguronin materiale foto e video intime, dhe për mospublikimin e këtyre materialeve, kërkonin shuma të ndryshme parash.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera janë dokumentuar ligjërisht 2 raste të kësaj veprimtarie kriminale, nga të cilat dy vëllezërit kanë përfituar shuma parash nga një 14-vjeçare.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar shuma parash dhe 2 celularë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/ Versus.al







