
Shqipëria pritet të përballet me një valë të fortë të nxehti gjatë fundjavës dhe fillimit të javës së ardhshme, me mot të kthjellët dhe temperatura shumë të larta në të gjithë territorin.
Sipas meteorologes Lajda Porja, e shtuna, e diela dhe e hëna do të jenë ditët më të nxehta, ku temperaturat në disa zona të vendit mund të arrijnë deri në 40°C. Zonat më të prekura parashikohet të jenë Shkodra, Kopliku, Berati, Urë Vajgurore, Cërriku, Belshi, Elbasani, ndërsa vlera të ngjashme nuk përjashtohen edhe në Gjirokastër.
Në ultësirën perëndimore, temperaturat pritet të luhaten mes 38 dhe 39°C, ndërsa në bregdet nga 36 deri në 37°C. Edhe zonat malore do të regjistrojnë temperatura të larta për sezonin, me Dibrën që pritet të arrijë 32–33°C dhe Kukësin rreth 34°C. Më e freskët do të mbetet zona e Korçës.
Gjatë këtyre ditëve nuk parashikohen reshje, ndërsa rritja e lagështirës, veçanërisht të dielën dhe të hënën, pritet ta bëjë vapën edhe më të ndjeshme.
Një ulje e lehtë e temperaturave parashikohet të martën, kur në zonat më të nxehta termometri do të zbresë në 37–38°C, por kushtet atmosferike do të mbeten tipike verore edhe gjatë mesit të javës.
Meteorologët paralajmërojnë se korriku do të vijojë me temperatura të larta, për shkak të ndikimit të masave të nxehta afrikane në rajon, me mundësi për ditë edhe më të nxehta gjatë mesit të muajit.

