
Korçë- Sot është zhvilluar seanca gjyqësore për caktimin e masës së arrestit me burg për Bledar Trëndafilin, 45 vjeçarin i cili një muaj më parë i vuri flakën gruas së tij Melisa Trëndafilit para banesës ku kjo e fundit po kthehej nga puna.
Në gjykatë, Trëndafili u shpreh i penduar dhe i vetëdijshëm për krimin që kishte bërë ndërsa tha se ishte në gjendje të rënduar pasi e shoqja me të cilën ishte në process divorci nuk e linte të shihte fëmijët.
“Nuk doja ta bëja, por isha në gjendje të rënduar psikologjike, e di që kam bërë gabim të madh. Më bëni çfarë të doni. Melisa nuk më linte të shihja fëmijët dhe më tradhëtonte”- mësohet të jetë shprehur mes të tjerash, Bledar Trëndafili.

Dje përfundoi arratia 1 mujore e 45 vjeçarit i cili u kap në Korçë. Ngjarja tronditi gjithë opinionin publik për nga mënyra sesi u krye krimi nga autori i cili e kishte pritur Melisën teksa kthehej nga puna dhe i gjithë akti i rëndë i spërkatjes dhe djegies së saj me benzinë ndodhi para banesës brenda së cilës ndodheshin edhe fëmijët e tyre.
Në një intervistë për mediat, viktima e sulmit tha se po përjetonte makthe në spital pasi nuk mund të flinte gjumë natën me frikën se bashkëshorti i saj mund të kthehej për t'i bërë keq sërish. Versus.al







