AKTUALITET /

"Çmenduri online"! Sara Mila reagon pas komenteve për ndryshimin në pamje: Ishte çështje shëndeti, jo estetike

Deputetja socialiste Sara Mila ka sqaruar se transformimi i saj fizik lidhet me trajtimin e rezistencës ndaj insulinës, duke dënuar komentet fyese në rrjet. Ajo thekson se sulmet ndaj trupit të grave janë të papranueshme dhe kërkon më shumë përgjegjësi ndaj gjuhës online.

Shkruar nga Versus

"Çmenduri online"! Sara Mila reagon pas komenteve për

Deputetja socialiste Sara Mila ka reaguar pas komenteve dhe fotografive që kanë qarkulluar në rrjetet sociale gjatë 24 orëve të fundit, ku vihet në dukje ndryshimi i saj fizik nga fushata e vitit 2025 deri në periudhën aktuale si pjesë e Kuvendit.

Në një reagim publik, Mila shprehet se është përballur me sulme që, sipas saj, cenojnë dinjitetin e grave duke i kthyer trupat e tyre në objekt gjykimi dhe talljeje. Ajo pranon ndryshimin në peshë, duke theksuar se për të ky ka qenë një proces i lidhur me shëndetin dhe jo thjesht me anën estetike.

Deputetja sqaron se transformimi ka ardhur si rezultat i trajtimit për rezistencën ndaj insulinës, një problem shëndetësor që, sipas saj, e ka adresuar sapo ka mësuar se mund të kurohet.

Mila dënon gjuhën fyese në rrjet dhe paralajmëron se pret ndërhyrje më të fortë ligjore ndaj asaj që e cilëson si “çmenduri online”, duke kritikuar gjithashtu ata që përdorin pamjen fizike të grave si mjet sulmi publik dhe politik.

Reagimi i plotë:

PËRGJIGJA IME ME ZË E FIGURË PËR ÇMENDURINË ONLINE TË 24 ORËVE TË FUNDIT.

Në këto 24 orë nuk pashë thjesht disa postime, pashë edhe një herë sa lehtë mund të zhveshësh një grua nga dinjiteti i saj publik, duke e kthyer trupin e saj në lajm dhe luftën e saj të heshtur në tallje. Po, unë jam në atë foto. Si isha dhe si jam. Po, dhe kam qenë shumë e lumtur për çdo kilogramë të humbur këto kohë. Kjo sepse për mua nuk ka qenë thjesht estetikë, ishte shëndet, ishte forcë, ishte një vendim për të mos e lënë veten pas. Por, sot diçka tjetër më dhemb më shumë, që një pjesë e shoqërisë tonë është ende kaq e varfër në mendje, sa mendon se pesha e një gruaje është armë politike. Disa, sidomos disa burra injorantë, gjasme edhe me peshë publike, mendojnë se mund të t'ulin duke komentuar trupin tënd.

Se mund të të heshtin duke të të bërë objekt talljeje. Madje, madje, disa kujtojnë se me këtë po bëjnë edhe opozitë. Kam kuptuar se rezistenca ndaj insulinës trajtohet, unë po e bëj. Por, rezistenca ndaj njerzillëkut, kjo është pandemia jonë e vërtetë. Kur shëndoshesh thonë e ke nga pushteti, kur dobësohesh prap nga pushteti. Sepse në të vërtetë për disa njerz, problemi nuk është kurrë pesha, problemi është që je një grua që nuk kërkon falje dhe as leje për hapësirën që zë. Unë nuk kam për të kërkuar falje, as për trupin tim, as për rrugën time dhe as për forcën time. Dhe për të gjithë ata që e kuptojnë këtë gjë pa e gjykuar, po shëndeti është mbi gjithçka. Mbi politikën e ulët, mbi gjuhën e helmit, mbi një mentalitet që ende nuk e ka kuptuar se vlera e një gruaje nuk matet me kilogramë, e as me kilogramët e helmit që hidhen mbi të pa kursim. Por, sidomos për ju.

Vajza dhe gra që më ndiqni çdo ditë, me apo pa kilogramë shtesë, me apo pa një problem shoqërues, mos lejoni askënd t'ju bëj të ndiheni më pak për trupin tuaj, për zërin tuaj apo për rrugën që keni zgjedhur. Mos u tkurrni që të dukeni më të pranueshme, mos heshtni që të dukeni më të mira dhe mbi të gjitha, nuk ëshë turp edhe të duash të ndihesh e bukur. Nuk është sipërfaqësi të kujdesesh për veten, është dinjitet, është vetërespekt, është dashuri për veten dhe lum kush e mëson shumë më mirë vonë se sa kurrë, trupi juaj nuk është arenë gjykimi, është historia juaj, forca juaj, jeta juaj, por, mbi të gjitha, nuk i detyrohesh askujt asnjë shpjegim për trupin tënd. Sepse trupi im nuk është dhe nuk do duhet të jetë ndonjëherë debat publik, nuk është argument politik, nuk është pronë e askujt përveç meje.

Dhe, dita që në si shoqëri do ta kuptojmë këtë, është dita kur do të kemi bërë një hap real drejt fuqizimit të vajzave dhe grave. Deri atëherë paçi fat me viktimën e radhës për ta kryqëzuar në rrjet. Unë jam rezistente ndaj baltës më shumë se ndaj insulinës. Ndërkohë që punoj, edhe po pres që ligji të mund të marrë në dorë këtë çmenduri online që përdor vajzat si mish për top për të fituar një kockë klikimesh më shumë. Thua se dinjiteti dhe suksese të varen vetëm nga to./Versus.al

 

Tags:

sara mila

Poll