
Bordi i Transparencës ka vendosur që nafta me pakicë të mos tregtohet mbi 203 lekë për litër, një masë që ka hyrë menjëherë në fuqi dhe ka sjellë ndryshime në tregun e karburanteve.
Pas këtij vendimi, Konfindustria ka reaguar zyrtarisht duke e vlerësuar ndërhyrjen si të nevojshme, por të vonuar, në kushtet e krizës energjetike dhe luhatjeve në tregjet ndërkombëtare.
Sipas organizatës, edhe vende të tjera të rajonit kanë marrë masa më të shpejta për të përballuar pasojat e krizës, ndërsa theksohet se diferencat aktuale të çmimeve tregojnë për mundësi spekulimi në treg dhe nevojë për mbikëqyrje më të fortë.
Konfindustria i ka bërë thirrje qeverisë të ndërmarrë disa reforma të rëndësishme, përfshirë uljen e barrës fiskale mbi karburantet dhe taksat e automjeteve, krijimin e një enti të posaçëm rregullator për tregun e karburanteve, rishikimin e strukturës aktuale të tregut për të shmangur praktikat monopoliste dhe ndërtimin e një rafinerie vendase që do të mbulonte një pjesë të nevojave të vendit.
Organizata thekson se këto masa janë të domosdoshme për stabilizimin afatgjatë të tregut dhe uljen e varësisë nga importet.
Njoftimi i plotë:
Konfindustria mbështet vendimin e sotëm të ekzekutivit nëpërmjet Bordit të Trasparencës për vendosjen e çmimeve tavan të karburanteve në tregëtinë me shumicë dhe pakicë.
Sa më sipër përbën ndërhyrjen e parë dhe mjaft të vonuar të qeverisë shqiptare në tregun e karburanteve në kushtet e jashtëzakonshme të krizës. Të gjitha shtete e rajonit dhe më gjerë kanë marrë masa të menjëhershme për zbutjen e pasojave të luftës së Gjirit Persik.
Çmimet e vendosura të produkteve të karburanteve janë mbi 8% më të ulëta, që tregon qartësisht për hapësirat e gjera të spekullimeve nga operatorët e tregut dhe domosdoshmërinë e ndjekjes së vazhdueshme të mbikqyrjes së tregut strategjik të karburanteve.
Konfindustria i kërkon qeverisë shqiptare, që në të njejtën kohë me mbikqyrjen nëpërmjet Bordit të Trasparencës për parandalimin e spekullimeve në tregun e karburanteve në kushtet e sotme të jashtëzakonshme botërore, të vlerësojë me shpejtësi si më poshtë:
1- Uljen e përgjithshme të barrës fiskale mbi karburantet dhe taksat vjetore të makinave deri në nivelet të mesatares së shteteve të rajonit
2- Krijimin e Entit Rregullator të Karburanteve si institucion i përhershëm mbikqyrës
3- Rishikimin e ndërtimit të sotëm në dretimin vertikal dhe horizontal të tregut të karburanteve me shfaqje të qarta të tipit kartel dhe oligopol në porte, tregëti me shumicë dhe pakicë
4- Ndërtimin e rafinerisë për të përpunuar naftën shqiptare për të plotësuar të paktën 30% të nevojave vjetore të vendit.
/Versus.al

