AKTUALITET /

“Po u ul çmimi i naftës në bursë, do ulet dhe tek ne”, Ibrahimaj: Ekonomia shqiptare rritet me 3.8%, tejkalon BE-në dhe Ballkanin Perëndimor

Delina Ibrahimaj deklaroi se ekonomia shqiptare ka shënuar rritje prej 3.8% në tremujorin e fundit të vitit 2025. Sipas saj, ky rezultat tejkalon mesataren e Bashkimit Evropian dhe atë të Ballkanit Perëndimor.

Shkruar nga Versus
“Po u ul çmimi i naftës në bursë, do ulet dhe tek

 

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se ekonomia shqiptare ka shënuar një rritje prej 3.8% në tremujorin e fundit të vitit 2025, duke tejkaluar mesataren e Bashkimit Evropian prej 1.4% dhe atë të Ballkanit Perëndimor prej 3%.

Sipas saj, ky rezultat tregon qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe performancën pozitive në raport me rajonin dhe më gjerë.

Gjatë një konference për shtyp, Ibrahimaj u ndal edhe te funksionimi i Bordit të Transparencës, i riaktivizuar për të monitoruar çmimet e karburanteve në vend.

Ajo bëri të ditur se pas një periudhe stabiliteti në fund të shkurtit, në mars është regjistruar rritje e ndjeshme e çmimit të naftës, i cili ka arritur deri në 215 lekë për litër.

Ministrja theksoi se Bordi ka ndërhyrë për vendosjen e çmimeve tavan, bazuar në një formulë të miratuar më herët që merr në konsideratë çmimet ndërkombëtare të bursës dhe kostot e tregtimit, duke shtuar marzhe minimale prej 3 lekësh për shumicën dhe 12 lekësh për pakicën.

Sipas saj, qëllimi i këtij mekanizmi nuk është fitimi, por mbulimi i kostove dhe parandalimi i abuzimeve në treg.

Ibrahimaj shtoi se institucionet po ndjekin gjithashtu me vëmendje edhe çmimet e produkteve ushqimore, të cilat kanë shfaqur luhatje kohët e fundit.

Ajo theksoi se është nisur një monitorim i shtuar përmes strukturave përkatëse dhe Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut, me synimin për të mbrojtur konsumatorët dhe për të minimizuar ndikimin e rritjes së çmimeve, veçanërisht tek shtresat më të ndjeshme të shoqërisë si pensionistët dhe familjet në nevojë.

''Ne kemi qenë të kujdesshëm në monitorimin ditor të çmimit të karburanteve dhe kemi parë që gjatë, që nga fundi i muajit shkurt, një situatë e cila ishte stabile. Ku çmimi ishte 173 lekë kemi pasur luhatje të çmimit në muajin mars, ku çmimi në max ka arritur deri në 215 lekë. Duke parë maksimumin kemi parë një rritje të çmimit të naftës, ndërkohë sa i takon bursës dhe çmimeve të bursës, çmimi i bursës nga shkurti deri më sot është rritur me 97%.

Dje ne mblodhëm Bordin së bashku me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe anëtarë të tjerë të bordit me qëllim diskutimin për çmimet dhe vendosjen e çmimeve maksimale të tregtimeve. Mekanizmi që përdoret është një formulë që është bazuar në aktin normativ që është ndërmarrë në 2022 kur kishim një situatë të ngjashme. E cila bazohet në çmimet ditore të bursës të një dite më parë dhe bëhet një llogaritje e të gjitha kostove të tregtimit të karburantit duke i shtuar një marzh 3 lekë për shumicën dhe 12 lekë për pakicën. Marzhet janë minimale, nuk janë marzhe fitimi, janë të përballimit të shpenzimeve kryesore që kompanitë kanë.

Ne me ngritjen e Bordit do të vijojmë të jemi në monitorim të vazhdueshëm të çmimeve. Qëllimi ynë është që në një situatë kur çmimet po rriten, ne të jemi transparentë dhe të mos lejojmë asnjë abuzim. Të njëjtën mbikëqyrje dhe vëmendje jemi duke e bërë dhe për çmimet e shportës të ushqimeve, të cilat kanë pasur disa luhatje gjatë ditëve të fundit dhe për këtë arsye jo vetëm që kemi nisur vëzhgimin ditor, por do të nisim një mbikëqyrje më të thelluar përmes Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut.

Qëllimi ynë është që të kujdesemi që efektet e luftës të kenë sa më pak ndikim për konsumatorët shqiptarë. Monitorimi do të jetë i vazhdueshëm pasi kujdesi ynë është që të mos ketë abuzime dhe të ardhurat e familjeve shqiptare mos reduktohen, sidomos ato familje që nuk përballojnë rritje të çmimeve, këtu e kam fjalën për pensionistët dhe shtresat në nevojë.' tha ndër të tjera Ibrahimaj. /Versus.al

Poll