AKTUALITET /

Korça zbardhet nga dëbora, probleme me energjinë elektrike në disa zona

Reshjet e dëborës kanë rikthyer dimrin në qarkun e Korçës dhe zonat përreth, duke shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike për qindra abonentë në zona rurale dhe të thella. Ndërkohë, autoritetet raportojnë se qarkullimi rrugor nuk paraqet vështirësi serioze, por u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes në zonat e prekura nga moti i keq.

Shkruar nga Versus

Korça zbardhet nga dëbora, probleme me energjinë elektrike

Reshjet e dëborës janë rikthyer në qarkun juglindor të vendit, kryesisht në zonat malore mbi 1100–1200 metra lartësi, duke sjellë edhe problematika në furnizimin me energji elektrike në disa fshatra të Korçës dhe Pogradecit.

Sipas të dhënave, fideri Vithkuq në N/St Rehovë është pjesërisht në punë, ndërsa pa energji kanë mbetur rreth 205 abonentë në zona rurale dhe të thella si Lekas, Xerje, Gurmujas, Gjonbabas, Tudas, Gjergjevicë, Denas, Mazrekë, Brozdovec, Gjinikas, Protopapë, Peshtan, Osojë dhe Kodras.

Gjithashtu, në fiderin 1 të N/St Pogradec janë pa energji 317 abonentë në zonën e Verdovës, ndërsa në fiderin Potozhan, N/St Guri i Kuq, raportohet mungesë energjie për 1983 abonentë në disa zona rurale dhe të thella.

Pavarësisht reshjeve, autoritetet bëjnë të ditur se qarkullimi rrugor nuk paraqet probleme serioze në asnjë prej akseve kryesore. Në zonat rreth Pogradecit, reshjet kanë qenë me intensitet të ulët deri mesatar gjatë mëngjesit, duke mundësuar pastrimin e rrugëve kryesore.

Në akset Qukës–Qafë Plloçë dhe në Qafë Thanë, dëbora ka qenë më e dendur gjatë natës, por si pasojë e rritjes së temperaturave ka nisur të shkrijë, duke mbetur prezente vetëm në zonat më të larta malore. Edhe në destinacionet turistike si Dardha, Voskopoja, Boboshtica, Leskoviku dhe Erseka janë raportuar reshje dëbore.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në zonat e prekura nga moti i keq./Versus.al

Tags:

moti i keq

Poll