
Një konflikt familjar për pronësinë e një vile 4-katëshe në Tiranë ka degjeneruar në dhunë fizike, duke çuar në arrestimin e pesë personave, mes tyre ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Sokol Mulosmani.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Njazi Meka”, ku përplasja mes familjarëve ka nisur për çështje pronësie dhe ka përfunduar në ndërhyrjen e policisë, pas njoftimeve të banorëve për një konflikt të ashpër në zonë.
Sipas burimeve paraprake, gjithçka ka nisur kur njëri prej vëllezërve, i kthyer nga Shtetet e Bashkuara, është paraqitur pranë vilës dhe ka tentuar të hyjë në të. Ky veprim ka shkaktuar reagimin e familjarëve të tjerë, të cilët kanë pretenduar se prona u përket atyre, duke sjellë përshkallëzim të shpejtë të situatës.
Fillimisht debati verbal ka agravuar dhe më pas ka kaluar në përplasje fizike mes disa prej të përfshirëve. Në vendngjarje kanë ndërhyrë efektivët e Policisë së Tiranës, të cilët kanë bërë të mundur shoqërimin e të gjithë personave të përfshirë në konflikt.
Të arrestuarit janë ish-zyrtari i policisë, tre vëllezërit e tij dhe një nip i familjes. Ata po hetohen për veprat penale që lidhen me dhunën dhe prishjen e rendit publik, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e konfliktit dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.
Emri i ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Sokol Mulosmani, është përfshirë edhe në zhvillimet hetimore që lidhen me ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri.
Ai është arrestuar në Tiranë më 23 gusht 1998, në kuadër të një procesi hetimor ku u morën në shqyrtim përgjegjësitë e disa zyrtarëve të lartë të shtetit gjatë periudhës së trazirave. Në të njëjtën çështje u përfshinë edhe figura të tjera, përfshirë ish-ministrin e Mbrojtjes Safet Zhulali, ish-ministrin e Brendshëm Halit Shamata, ish-nënkryetarin e SHIK-ut Bujar Rama, ish-kryetarin e KLSH Blerim Çela dhe ish-komandantin e forcave kundërajrore Kreshnik Luzha.
Pas disa ditësh në arrest, gjykata caktoi ndaj tyre masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa rreth gjashtë muaj më vonë ata u lanë të lirë dhe çështja u pushua.Versus.al

