
Kryetarja shqiptare e Bashkisë së Pieve di Cadore, në provincën Belluno të Italisë, Sindi Manushi, iu bashkua protestës së 29-të të zhvilluar në Tiranë kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Duke folur para protestuesve, Manushi sqaroi se ishte e pranishme në tubim si qytetare shqiptare dhe jo në cilësinë e një përfaqësueseje të institucioneve italiane.
"Jam njëra prej jush, jam shqiptare. Kjo është shtëpia ime dhe ju jeni njerëzit e mi. Erdha vetëm për t'ju falënderuar për durimin dhe guximin që keni treguar", u shpreh ajo mes emocionesh.
Gjatë fjalës së saj, Manushi hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se "u shqye velloja e propagandës që Edi Rama ka qëndisur", ndërsa shtoi se, sipas saj, realiteti në Shqipëri bie ndesh me propagandën e qeverisë.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve të mos dorëzohen dhe të vijojnë angazhimin e tyre qytetar, duke theksuar se ndryshimi vjen përmes organizimit dhe pjesëmarrjes.
"Mos u dorëzoni. Organizohuni në shesh, në institucione, në lëvizje e kolektive. Mos kini frikë nga politika, sepse vendi është i juaji", deklaroi Manushi.
Në përfundim të fjalimit, ajo u shpreh optimiste për të ardhmen, duke theksuar se protesta përfaqëson, sipas saj, fillimin e një etape të re për Shqipërinë.
Protesta e 29-të kundër qeverisë u zhvillua në Tiranë me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe përfaqësuesve të ndryshëm, të cilët shprehën qëndrimet e tyre kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.Versus.al

