TIRANË- Një urdhër i beftë nga Ministria e Shëndetësisë në datë 5 të këtij muaji ka vënë në pozicion jo të lehtë mjekët specialistë në të gjitha poliklinikat e Tiranës, së paku.
Asnjë referim për skaner, rezonancë apo kryerje analizash nëse nuk është rast ekstremisht urgjent, nuk do të jepet. Madje disa prej mjekëve të cilët nuk kanë ‘ngurruar’ t’i adresojnë pacientët e tyre për diagnostikim janë thirrur dhe u është tërhequr veshi.
Të gjendur në një pozitë të tillë, prej disa ditësh bluzat e bardha nuk referojnë më pacientë për kryerjen e rezonancës apo skanerit, si mënyra e vetme për të diagnostikuar sëmundje të cilat nuk mund të identifikohen ndryshe. E njëjta situatë, konfirmohet për Versus.al ndodh dhe me recetat e rimbursueshme. Ilaçet e shtrenjta nuk do të paguhen nga shteti, pacientëve do t’ju duhet të kënaqen me ato të lirat, ndoshta me dhe pa veprimin e dëshiruar.
Gjithsesi të pyetur nga Versus mjekët pohojnë se situata është me të vërtetë e tensionuar, pasi të vendosësh që një pacient i cili ka nevojë për një diagnostikim të tillë, të mos e bëjë për shkak të rradhëve të gjata në 2 pikat e vetme në Tiranë, është brerje ndërgjegje e madhe. Të paktën, për disa prej tyre. Ata, të tjerët kanë marrë urdhrin, mëkati nuk është i tyri!?
Pra, me pak fjalë diagnostikime skaner/rezonancë bëhen vetëm tek Trauma dhe tek Poliklinika Qendrore, ndaj lista e pritjes është shumë e gjatë dhe mënyra e vetme për ta shkurtuar këtë listë është të mos çojmë më pacientë të tjerë.
Theksojmë vetëm për raste urgjente. Mjekët duhet të vendosin se cili është rast urgjent, ndërsa shumë prej tyre nuk janë të sigurt se nëse një rast i sotëm në dukje, jo urgjent, mund të jetë rasti ‘shumë vonë’ pas disa muajsh.
A nuk tha dhe vetë ministrja Koçiu ditën e djeshme në Parlament që shumë njerëz vdesin pasi diagnostikohen shumë vonë (lexo)?
Paksa kontradiktor ky urdhër me mendësinë që shpalos ministrja para mijërave qytetarëve, për shëndetin e të cilëve mban detyrën më të rëndësishme.
Pas kërkesës për informacion në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, kjo e fundit u përgjigj se asnjë urdhër i tillë nuk është dhënë pasi: ‘Çdo kufizim i tillë do të ishte në kundërshtim me legjislacionin aktual dhe politikat e zbatueshme nga Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.’
Saktë! Një urdhër i tillë do të ishte i jashtëligjshëm dhe çnjerëzor.
Por siç shprehet dhe ministria në përgjigjen e saj ka pasur një takim në mjediset e operatorit me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Operatorin Rajonal të Tiranës dhe Operatorin Vendor të Tiranës (DROSHKSH & NJVKSH Tiranë) si dhe me mjekë specialistë.
“Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i mënyrave për të ulur kohën e pritjes për qytetarët duke prioritizuar referimet për rezonanca dhe skanime bazuar në riskun e sëmundshmërisë, në mënyrë që të mundësojmë trajtim më të shpejtë për qytetarët që kanë më shumë nevojë. Ky proces synon të përmirësojë shërbimin për qytetarët dhe nuk ka si qëllim të kufizojë aksesin në diagnostikim apo në medikamentet e nevojshme për pacientët.”, thuhet në përgjigje.
Pra takim ka pasur, por jo ultimatum për të ndalur fluksin e referimeve për CT/MRI. Thjesht ‘prioritizime bazuar në risk, për të mirën e atyrë që kanë më shumë nevojë’.
Por në këtë histori dikush gënjen…
Mjekët shprehen për të kundërtën, madje të intimiduar, ndërsa mbledhja e datës 5 nëntor e ka bërë ‘punën’ e vet. Secili prej tyre ka ulur numrin e referimeve, ndërsa iu duhet të vendosin se një pacient nuk mund të diagnostikohet për momentin dhe pse ka nevojë.
A ua thonë këtë pacientëve të tyre? A informohen njerëzit për politikat e Ministrisë së Shëndetësisë? Në të tilla raste, kjo e fundit a ka një parashikim apo studim se sa mund të rrisë incidencën e sëmundjeve të vështira apo të pamundshme për tu kuruar një pauzë e tillë? Çfarë masash ka marrë për të shtuar qendrat e diagnostikimeve CT/MRI? A jemi në luftë që të prioritizojmë ndër të sëmurë?!/ Versus.al







