Ngacmimet ndaj të rinjve nga persona në moshë madhore po bëhen një fenomen shqetësues. Një rast i fundit është denoncuar dhe bërë publik së fundmi në emisionin investigativ Piranjat. Bëhet fjalë për një vajzë të mitur 13-vjeçare, e cila është ngacmuar vazhdimisht me mesazhe një 65-vjeçar. Ky i fundit i dërgonte mesazhe, foto dhe video të papërshtatshme dhe shqetësuese me përmbajtje intime.
Për shumicën e publikut, emri Qazim Karafili mund të tingëllojë i panjohur. Por pas këtij identiteti fshihet një histori e rëndë, që ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë e fëmijëve në rrjetet sociale. Gjithçka nis disa javë më parë, kur në redaksi mbërrin një denoncim nga një nënë e shqetësuar.
Vajza e saj, vetëm 13 vjeçe, kishte hapur një profil në Facebook dhe kishte filluar të merrte mesazhe nga një burrë i moshuar, i cili jo vetëm komunikonte në mënyrë të papërshtatshme, por edhe i ofronte para. E alarmuar nga përmbajtja e bisedave, nëna vendos ta bëjë publike situatën.
Nga verifikimi i komunikimeve rezulton se mesazhet e dërguara nga 65-vjeçari janë të një natyre shqetësuese dhe të papranueshme për çdo standard. Ai nuk ndalet vetëm te komunikimi verbal.
Në mënyrë të vazhdueshme, i dërgon vajzës video dhe materiale të papërshtatshme, ndërsa përpiqet të krijojë një marrëdhënie duke përdorur presion, manipulim dhe premtime financiare. Në një moment, ai arrin të ofrojë para në këmbim të takimit, fillimisht 500 euro dhe më pas duke e rritur shumën në 1000 euro.
Pavarësisht se i bëhet e qartë mosha e vajzës, 65-vjeçari nuk tërhiqet. Përkundrazi, ai vazhdon të këmbëngulë, duke kërkuar foto dhe video intime dhe duke përdorur gjuhë presioni. Edhe kur përballet me heshtje apo injorim, ai nuk ndalet. Në përpjekje për të fituar besimin e vajzës, ai ndryshon identitet, duke u prezantuar me emra të tjerë dhe duke ulur moshën e tij.
Pretendon se është biznesmen dhe jeton jashtë vendit, duke përdorur këtë narrativë për të joshur dhe bindur të miturën.Kur kërkesat e tij refuzohen, sjellja ndryshon. Nga një komunikim i butë dhe manipulues, ai kalon në tone kërcënuese, duke pretenduar lidhje me persona në institucione dhe duke u përpjekur të frikësojë.
Megjithatë, pak më vonë rikthehet sërish në sjelljen e mëparshme, duke vazhduar me insistimin për përmbajtje intime. Rasti i Qazim Karafilit nuk është thjesht një histori individuale. Ai nxjerr në pah një problem më të gjerë, praninë e personave që shfrytëzojnë rrjetet sociale për të kontaktuar të mitur dhe për t’i manipuluar.
Në këtë rast, personi në fjalë përdorte një profil me emër që krijonte përshtypjen e një strukture zyrtare, duke e bërë edhe më të lehtë afrimin me përdorues të rinj.
Pas mbledhjes së provave, u bë përballja direkte me 65-vjeçarin në zonën ku ai jeton. Fillimisht ai mohon, por përballë fakteve dhe materialeve të dokumentuara, qëndrimi i tij ndryshon. Ai shfaqet i tërhequr dhe kërkon që gjithçka të ndalet, duke shmangur përgjegjësinë për veprimet e tij. Ky rast është një sinjal alarmi.
Rrjetet sociale, pavarësisht mundësive që ofrojnë, mbeten një hapësirë ku fëmijët mund të ekspozohen ndaj rreziqeve serioze.Prindërit duhet të jenë vigjilentë, të komunikojnë hapur me fëmijët e tyre dhe të monitorojnë aktivitetin e tyre online.Sepse pas një profili të zakonshëm, mund të fshihet një histori si kjo./Piranjat.al

